Jabllanoviq për Planin franko-gjerman: BE po e humb durimin, kjo ndoshta është oferta e fundit

Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, ka thënë se Plani i Bashkimit Evropian është oferta e fundit e BE-së për t’u arritur kompromisi.

Megjithatë në emisionin “Kallxo Përnime”, politikani serb deklaroi se akoma jemi larg një marrëveshjeje mes Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. “Kam dyshime të mëdha rreth kësaj”.

“Është bërë një famë e madhe thua se kjo pika e Asociacionit ose do të sjellë një normalizim të plotë ose një konflikt, kjo që lexuat dëshmon se BE ka humbur durimin për neve këtu në Kosovë, dhe kjo është ndoshta si një ofertë e fundit të arrihet një kompromis” – tha ai.

Jabllanoviq ka thënë se nga publikimi i Planit të BE-së nuk ka asgjë të re.

“Nuk kemi dëgjuar asgjë të re. Kjo marrëveshje kam lexuar një tekst të ngjashëm para disa ditëve. Mendoj që ky propozim i ri është dëshmi se BE nuk ka arritur të sigurojë në masë të plotë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Është fakt që 9 vite negocime nuk kemi arritur te synimi i dëshiruar i cili ka qenë përmirësimi i marrëdhënieve” – tha ai.

Sot në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruajë Planin franko-gjerman, i njohur si Plani i Bashkimit Evropian.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha që sot nuk pati marrëveshje për shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Borrell në anën tjetër përmendi fundin e marsit si një kohë kur mund të finalizohet plotësisht puna.

Ndërsa para pak minutash u bë publike edhe përmbajta e planit të BE-së i njohur si plani franko-gjerman.

Përmbajtja e planit franko-gjerman