Aleksandar Jabllanoviq - Foto: Rtv21

Jabllanoviq lë fajtorë Listën Serbe dhe Qeverinë e Kosovës për barrikadat

Aleksandar Jabllanoviq, politikan serb në Kosovë, ka folur lidhur me situatën e krijuar me barrikadat në veri të Kosovës.

Për barrikadat e krijuara në veri të vendit politikani serb ka fajësuar Listën Serbe dhe Qeverinë e Kosovës.

Këtë ai e ka thënë në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u diskutua debati për planet për djegien e pikës kufitare në Jarinjë.

Lidhur me këtë ai ka thënë se është duke u kërkuar problemi në adresën e gabuar dhe se është duke u shpenzuar kohë dhe energji në barrikada.

“Barrikadat nuk janë shkak i asnjë gjëje përveç të bllokimit të rrugëve. Barrikadat janë pasojë, mbi të gjitha pasojë e një politike të tmerrshme të gabuar të Listës Serbe, të një përzierjeje shumë të madhe të pushtetit zyrtar të Beogradit në terrenin e veriut të Kosovës dhe të një politike të gabuar të Qeverisë në Prishtinë”- është shprehur Jabllanoviq.

“Kur mblidhen të gjitha këto bashkë në një periudhë të shkurtër kohore kemi ardhur në një situatë ku më nuk kemi ku të shkojmë tutje. Tani bëhet një pasqyrë mediale edhe në mediat në Kosovë edhe në mediat në Serbi se si serbët janë ngopur me çdo gjë dhe se si ata duan me barrikada të luftojnë terrorin dhe dhunën” – ka shtuar tutje ai.

Gjatë ditës së djeshme, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare.