“Ja ke me qenë me mua ja me askënd sepse do të mbys”, dënohet me 6 muaj burg recedivisti i gjashtë veprave penale

Gjykata e Ferizajt e ka dënuar vetëm me gjashtë muaj burg dhe 350 euro gjobë një burrë nga Kaçaniku për dy vepra penale, atë detyrimit në prostitucion dhe kanosjes.

I dënuari me inicialet A.P., për të njëjtat vepra penale ishte dënuar gjashtë herë në të kaluarën, me aktgjykim të formës së prerë. Por, ky fakt, nuk kishte ndikuar të gjykata t’i shqiptojë një dënim më të rëndë se gjashtë muaj.

Kështu, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Hakile Ilazi, në aktgjykimin e publikuar më 13 dhjetor të vitit të kaluar ka përshkruar se i dënuari A.P., është dënuar për dy veprat penale sipas Kodit Penal të Kosovës, atë të kanosjes dhe veprën penale, mundësimi ose detyrimi në prostitucion.

Siç është përshkruar në aktgjykim, për veprën e parë penale, i akuzuari, një burrë i martuar nga Kaçaniku, kishte kanosur një vajzë me fjalët “Ja ke me qenë me mua ja me askënd sepse do të mbys”.

Për këtë vepër penale, gjyqtarja e rastit, Hakile Ilazi kishte dënuar me gjobë prej 250 eurove të akuzuarin A.P.

Ndërsa, për veprën penale mundësimi ose detyrimi në prostitucion, gjykata vendosi që të akuzuarin ta dënojë me vetëm  gjashtë muaj burg dhe 200 euro gjobë.

Ashtu siç thuhet në aktgjykim, i dënuari tashmë, për gati dy vjet e gjysmë, nga vitit 2020 deri në muajin maj të vitit 2022, në territorin e komunës së Ferizajt, me dashje dhe në vazhdimësi kishte organizuar, ndihmuar dhe kontrolluar të dëmtuarën, për qëllime të prostitucionit.

I njëjti, sipas aktgjykimit, kishte siguruar persona të ndryshëm me të cilët kishte bërë marrëveshje që e dëmtuara të kryej marrëdhënie seksuale në këmbim të parave në shumën prej 10 deri në 15 euro.

Gjithnjë sipas aktgjykimit, burri nga Kaçaniku me inicialet A.P., kishte pasur lidhje dashurie me të dëmtuarën për një kohë të gjatë dhe e kishte shfrytëzuar për nevoja personale.

I akuzuari kishte deklaruar se pranon fajësinë. Ashtu siç thuhet në aktgjykim, i njëjti kishte shprehu keqardhje dhe ishte penduar për veprat që kishte kryer.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari A.P., nuk ishte kundërshtuar as nga prokuroria e shtetit, Albana Parduzi.

Në anën tjetër, Gjykata e Ferizajt e kishte marrë si rrethanë veçanërisht lehtësuese pranimin e fajësisë nga i akuzuari. Gjithashtu, rrethana lehtësuese ishin marrë edhe gjendja e tij e dobët ekonomike dhe se i njëjti ishte penduar thellë për veprën penale.

Ndërsa si rrethanë rënduese i është marrë fakti që i njëjti ka qenë i dënuar më parë për vepra të tilla me gjatë aktgjykime të plotfuqishme.

“Ndërsa rrethanë rënduese gjeti se i njëjti ka qenë i dënuar edhe më parë për vepra të tilla penale me aktgjykime të plotfuqishme dhe atë: Pnr.824/19, P.nr.729/19, P.nr. 113/19, Pnr.180/17, P. nr. 140/17 dhe P.nr.726, si dhe vlerësoi vlerësoi shkallen e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe rrezikshmërinë konkrete të veprës penale” – thuhet në aktgjykim mes tjerash.