Ilustrim
Izraeli thotë se pos Nasrallahut vrau edhe 20 figura të “Hezbollahut”
Izraeli ka bërë të ditur të dielën (29.09.2024) se bashkë me liderin Hassan Nasrallah në sulmin e tij në selitë nëntokësore të “Hezbollahut” ka lënë të vdekur edhe 20 figura të tjera të grupit militant libanez, raporton BBC.
“Hezbollahu” ka konfirmuar se Ali Karaku, lider i frontit të tij jugor, është vrarë në ato sulme.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur të dielën se ka kryer edhe një sulm në Danieh, bastion i “Hezbollahut” në Bejrutin jugor.
Më parë, Izraeli njoftoi se kishte qëlluar “disa caqe” gjatë orëve të natës. Mediat libaneze kanë raportuar se më shumë se 30 persona kanë vdekur të dielën, përfshirë 17 persona prej së njëjtës familjeje në Zboud në Luginën Bekaa në Libanin verilindor.
Korrespodentja e BBC-së, Orla Guerin, raporton prej një qendre mjekësore, duke iu referuar një burri që ka thënë se edhe pse nuk ishte pjesëtar i “Hezbollahut” i ishte sulmuar shtëpia dhe se i është lënduar vajza.
Gjatë ditës Ushtria izraelite ka kryer sulme edhe në Jemen.
Në një postim në X, Ushtria ka thënë se një operacion i madh ajror, me përfshirje të shumë aeroplanëve luftarakë është kryer kundër caqeve të “regjimit terrorist huthi në rajonet Ras Issa dhe Hodeidah në Jemen”.
Cak sulmesh ishin uzinat e energjisë elektrike dhe një port detar, “që përdoren për të importuar naftë”.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com