Foto: REL/Reuters

Izraeli refuzon bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Izraeli njoftoi se ka vendosur zyrtarisht të mos bashkëpunojë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) në lidhje me një hetim për krime të luftës në territoret e okupuara palestineze. Kryeprokurorja e GJNP-së, Fatou Bensouda, njoftoi më 3 mars, se ajo kishte hapur një hetim të plotë mbi situatën në territoret e pushtuara nga Izraeli.

Vendimi zemëroi Izraelin, i cili nuk është anëtar i gjykatës me bazë në Hagë.

Më 9 mars, GJNP-ja u ka dërguar një njoftim Izraelit dhe Autoritetit Palestinez se kanë një muaj kohë për të informuar gjykatësit, nëse po hetojnë krime të ngjashme, me ato që hetohen nga ana e GJNP-së.

Nëse Izraeli do ta informonte gjykatën se në fakt po kryente hetime për autorët e dyshuar të krimeve të luftës, atëherë do të kishte të drejt të kërkonte një shtyrje të hetimeve. Palestinezët e kanë mirëpritur hetimin dhe thanë se ata nuk do të kërkojnë ndonjë shtyrje.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu lëshoi një deklaratë duke thënë se qeveria kishte rënë dakord “të mos bashkëpunonte” me GJNP-në. Izraeli do t’i dërgojë një letër gjykatës, përmes së cilës “hedh poshtë plotësisht pretendimin se Izraeli kryen krime lufte”, tha qeveria izraelite.

Letra gjithashtu do të “përsërisë pozicionin e qartë të Izraelit se, gjykata e Hagës nuk ka autoritet të hapë një hetim kundër tij”.

“Izraeli është i përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe pret që gjykata të përmbahet nga shkelja e sovranitetit dhe autoritetit të tij”, thuhet në deklaratë.

Kryeprokurorja e GJNP-së, Fatou Bensouda ka thënë se hetimi i saj do të mbulojë situatën që nga viti 2014 në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor të aneksuar nga Izraeli.

Pas një hetimi paraprak pesë-vjeçar, Bensouda tha se kishte një “bazë të arsyeshme” për të besuar se krimet ishin kryer nga të dyja palët – nga ushtria izraelite dhe militantët islamikë të Hamasit, që e kanë kontrolluar Gazën që nga viti 2007, por dhe nga grupet e armatosura palestineze.

Netanyahu, një kritik i zëshëm i GJNP-së, akuzoi të enjten gjykatën për “hipokrizi” pasi po shënjestron e trupat izraelite të cilët “luftojnë me moral të lartë kundër terroristëve”. Kryeministri e ka kritikuar më parë vendimin për të hapur hetime, duke e quajtur si “thelbin e antisemitizmit”. Ai tha se Izraeli ishte “nën sulm”.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë kritikuar hetimin dhe kanë shprehur mbështetje për aleatin e tyre Izraelin. GJNP-ja javën e kaluar mirëpriti heqjen e sanksioneve ndaj kryeprokurores Bensouda nga ana e presidentit të SHBA-së, Joe Biden.

Sanksionet ishin vendosur nga ana e ish-presidentit, Donald Trump./REL