Benjamin Netanyahu

Izraeli ngulmon se ka merita për rrëzimin e Assadit

Gjatë gjithë vitit të kaluar, aleatët dhe armiqtë e Izraelit i bën presion ushtrisë izraelite që të kufizonte sulmet ndaj Iranit dhe partnerëve të tij në Liban dhe Siri, me shpresë për të shmangur përshkallëzimin e një lufte rajonale.

Izraeli pavarësisht thirrjeve e kishte bërë të veten, me qëllim që të dobësonte boshtin e prirë prej Iranit, shkruan gazeta “New York Times”, duke marrë shkas prej zhvillimeve të fundit në Siri. Izraeli do të bombardonte Iranin dhe rregullisht Sirinë, në përpjekje për të bllokuar rrugët nëpërmjet të cilave Irani i dërgonte armë “Hezbollahut”.

Rënia e presidentit sirian, Bashar al-Assad, aleat i kahershëm i Iranit, është parë në Izrael si pasojë kurorëzuese e asaj fushate njëvjeçare kundër Iranit dhe interesave të tij, megjithëse krejt këto zhvillime lidhen pashkëputshëm me paqartësinë se çfarë do të pasojë tani në Siri.

Pa goditjet e fuqishme izraelite ndaj “Hezbollahut” dhe Iranit, kryengritësit e Sirisë mbase nuk do të kishin guximin që ta ringjallnin rebelimin e tyre kundër Assadit, thonë analistët dhe liderët izraelitë. Dhe Irani dhe “Hezbollahu”, që e kishte mbajtur në këmbë këtë regjim për më shumë se një dekadë, ka qenë më e udhës që ta zëvendësonin Assadin.

Rënia e Assadit “është rezultat i drejtpërdrejtë i aksionit tonë të fuqishëm kundër ‘Hebzollahut’ dhe Iranit, mbështetësit kryesorë të Assadit”, ka deklaruar Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit, derisa kishte dalë në terren në Rrafshnaltat e golanit të dielën. Ky është një territor që Izraeli e pushtoi nga Siria gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967.

“Kjo shkaktoi një reaksion zinxhiror të krejt atyre që duan të çlirohen prej kësaj tiranie dhe represionit të saj”- ka thënë Netanyahu.

Megjithatë, izraelitët janë të shqetësuar se kush mund ta pasojë Assadin në krye të Sirisë.

“Hayat Tahrir al-Sham” (HTS), aleanca kryesore opozitare, e ka lufutasr “Hezbollahun” dhe aleatët e tij iranianë në Siri për vite me radhë dhe me gjasë nuk do të lejojë Irnain që ta përdorë Sirinë si transit për armatosjen e aleatëve të tij në Liban. Abu Mohammed al-Jolani, lideri i HTS-së, që përdor nofkën e luftës, ka thënë gjatë adresimit në Damask të dielën se regjimi i Assadit i solli shumë të liga Sirisë dhe se nuk do të lejojë që Siria “të kthehet në arë për farën iraniane”.

Por HTS-ja është gjithashtu grupi islamik i linjës së ashpër që nuk ka dashuri për shtetin hebraik. Emri Abu Mohammad al-Jolani është derivat i fjalës arabe për Rrafshnaltat e Golanit.

Dhe mbështetësja kryesore e jashtme rebelëve, Turqia, ka qenë kritike e ashpër ndaj veprimeve të Izraelit në Gazë – duke shkaktuar shqetësim në Izrael për mundësinë që një qeveri e mbështetur nga Turqia të kontrollojë një nga kufijtë veriorë të Izraelit.

“Rënia e regjimit të Asadit, tirania në Damask, ofron mundësi të mëdha, por gjithashtu është plot me rreziqe të mëdha”, deklaroi paralajmërueshëm Netanyahu.

Duke parandaluar çdo pasojë eventuale nga rënia e Assadit, ushtria izraelite kaloi sheshazi në territorin sovran sirian gjatë fundjavës për herë të parë që nga vitet 1970, duke kapur pozicione strategjike pranë kufirit.

Izraeli po bisedon gjithashtu me rebelët kurdë që kontrollojnë Sirinë verilindore, të cilët kanë marrëdhënie të tensionuara me fraksionet islamike që udhëhoqën opozitën ndaj Damaskut, ka theksuar Gideon Saar, ministri i Jashtëm izraelit, në një konferencë për shtyp të hënën. Saar nuk pranoi të jepte më shumë detaje.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com