Flamujt e Iranit dhe të Izraelit, Ilustrim: Pixabay

Izraeli në gjendje gatishmërie pret hakmarrjen e Iranit

Izraeli ka ngritur “shkallën më të lartë të gatishmërisë” për kundërpërgjigjen eventuale të Iranit, ka bërë të ditur për CNN një burim brenda ushtrisë izraelite.

Në një shkrim të televizionit amerikan më 01.11.2024 thuhet se zyrtari ushtarak ka thënë se Irani mund të kundërpërgjigjet ndaj sulmeve të fundit të Izraelit para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë vizituar Lindjen e Mesme në përpjekje për të neutralizuar çfarëdo hakmarrjeje iraniane dhe për të shtyrë përpara tentativat për zgjidhje diplomatike të konfliktit në Gazë dhe Liban.

Por zyrtarët vazhdojnë të kenë dyshime se përpjekjet do të rezultojnë me ndalje të përkohshme të luftimeve në enklavën palestineze para zgjedhjeve amerikane, kanë thënë zyrtarë të informuar me rrjedhat politike.

Pavarësisht optimizmit të madh për një marrëveshje armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe “Hezbollahut” të Libanit, lufta po vazhdon në Liban. Ushtria izraelite ka sulmuar lagjet periferike të Bejrutit për herë të parë pas pothuajse një jave, kanë raportuar mediat shtetërore libaneze, pasi “Hebzollahi” hodhi një raketë që la të vdekur shtatë civilë në Izrael, përfshirë edhe katër punëtorë tajlandezë.

Në Gazë, zyrtarët kanë thënë se së paku 13 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një sulmi ajror izraelit që goditi dy shtëpi në kampin e refugjatëve në Nuseirat. Ushtria izraelite ende nuk e ka komentuar raportin.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com