Izraeli ndërmerr një sulm parandalues ndaj Hezbollahut
Ushtria izraelite njoftoi të dielën se goditi objektivat e grupit militant Hezbollah pasi kjo organizatë, e shpallur terroriste nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, po planifikonte ta sulmonte Izraelin me raketa.
Pak pas sulmeve të Izraelit, Hezbollah-u, grup i lidhur me Iranin, njoftoi se ka goditur objektiva ushtarake izraelite, në shenjë hakmarrje për vrasjen e njërit prej komandantëve kryesorë të saj muajin e kaluar.
Shkëmbimi i fortë i zjarrit kërcënon të shkaktojë një luftë rajonale që mund të tërhiqte Shtetet e Bashkuara, Iranin dhe grupet militante në gjithë rajonin. Situata mund të rrënojë gjithashtu përpjekjet për një armëpushim në Gazë, ku Izraeli është përfshirë në luftë me grupin palestinez Hamas, një aleat i Hezbollahut.
Në orët e paradites, u duk se shkëmbimi i zjarrit kishte përfunduar, me të dyja palët që thanë se i kishin kufizuar sulmet e tyre në objektiva ushtarakë. Por situata mbetet e tensionuar. Të paktën tre persona u vranë në sulmet në Liban.
Ushtria izraelite tha se Hezbollahu po planifikonte të lëshonte një breshëri të rëndë raketash drejt Izraelit. Menjëherë pas kësaj, Hezbollahu njoftoi se kishte nisur një sulm ndaj pozicioneve ushtarake izraelite, si një përgjigje fillestare ndaj vrasjes së Fouad Shukurit, një prej themeluesve të tij, në një sulm ajror izraelit në Bejrut muajin e kaluar.
Sulmet ndodhën ndërsa Egjipti pret një raund të ri bisedimesh që synojnë t’i japin fund luftës Izrael-Hamas. Hezbollahu ka thënë se do të ndalojë luftimet nëse ka një armëpushim në Gaza. Irani mbështet të dy grupet, si dhe militantët në Siri, Irak dhe Jemen, të cilët mund t’i bashkohen ndonjë konflikti më të gjerë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke folur në fillim të një takimi të kabinetit, tha se ushtria rrëzoi “mijëra raketa që ishin nisur drejt Izraelit verior” dhe u bëri thirrje qytetarëve t’u përmbaheshin udhëzimeve të autoriteteve.
“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vendin tonë, për t’i kthyer banorët e veriut të sigurt në shtëpitë e tyre dhe për të vazhduar të respektojmë një rregull të thjeshtë: Kushdo që na dëmton – do ta dëmtojmë”, tha ai.
Sirenat për sulme ajrore u raportuan në gjithë Izraelin verior dhe aeroporti ndërkombëtar Ben-Gurion i Izraelit u mbyll për rreth një orë. Autoritetet izraelite ngritën shkallën e gatishmërisë në Izraelin verior dhe u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë pranë strehimoreve.
Nënkolonel Nadav Shoshani, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se Hezbollahu synonte të godiste objektiva në Izraelin verior dhe qendror. Ai tha se vlerësimet fillestare gjetën “shumë pak dëme” në Izrael, por ushtria mbeti në gatishmëri të lartë. Ai tha se rreth 100 avionë izraelitë morën pjesë në sulmet e së dielës.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit raportoi se dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në sulmet në Libanin jugor. Grupi Amal, i cili është aleat me Hezbollahun, tha se një luftëtar i grupit u vra në një goditje mbi një makinë.
Hezbollahu tha se përdori më shumë se 320 raketa “Katyusha” që synonin disa zona në Izrael dhe një “numër të madh” dronësh. Ai tha se operacioni kishte në shënjestër “një objektiv cilësor ushtarak izraelit, për të cilin do të njoftohet më vonë”, si dhe “vendet dhe kazermat e armikut dhe platformat e Kupolës së Hekurt (mbrojtjes raketore) të Izraelit.
Hezbollahu më vonë njoftoi fundin e asaj që tha se ishte faza e parë e sulmeve hakmarrëse, për të cilat tha se do ta lejonin atë të nisë më shumë sulme në thellësi të Izraelit. Por, në një deklaratë të mëvonshme, grupi tha se “operacionet ushtarake për sot kanë përfunduar”.
Grupi tha se të gjithë dronët që hodhi, goditën objektivat e tyre, por pa thënë se sa dronë ishin lëshuar. Ai renditi 11 baza, kazerma dhe pozicione ushtarake që tha se i kishte vënë në shënjestër në veri të Izraelit dhe në Rrafshnaltën e Golanit të aneksuar nga Izraeli. Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimin e Izraelit se sulmet e tij parandaluese kishin arritur të shmangin një sulm më të fortë të Hezbollahut. Grupi nuk dha prova për pretendimet e tij.
Në SHBA, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Sean Savett, tha se Presidenti Joe Biden “po ndjek nga afër zhvillimet në Izrael dhe në Liban”.
“Nën udhëzimet e tij, zyrtarë të lartë amerikanë kanë komunikuar vazhdimisht me homologët e tyre izraelitë”, shtoi z. Savett. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur dhe do të vazhdojmë të punojmë për qëndrueshmërinë rajonale”.
Pentagoni tha se sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin foli me ministrin izraelit, Yoav Gallant, rreth mbrojtjes së Izraelit.
Në javët e fundit, diplomatë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë zhvilluar një sërë vizitash në Izrael dhe në Liban, në një përpjekje për të ulur tensionet që ata kanë frikë se mund të çojnë në një luftë rajonale.
Hezbollahu filloi sulmet mbi Izraelin pothuajse menjëherë pas fillimit të luftës në Gaza, e cila u shkaktua nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor. Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë, duke zhvendosur dhjetëra mijëra njerëz në të dyja anët e kufirit. Deri të dielën, të dyja palët kishin qenë të kujdesshme për të shmangur luftën në shkallë të gjerë.
Hezbollahu është një aleat i ngushtë i Iranit, i cili gjithashtu është kërcënuar se do të hakmerret për vrasjen e një udhëheqësi të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh, në një shpërthim në Teheran muajin e kaluar, për të cilin u fajësua gjerësisht Izraeli, i cili nuk ka thënë nëse ishte i përfshirë.
Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësuesit e tjerë e shohin një armëpushim në Gaza si çelës për të shmangur një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme. Egjipti kishte planifikuar të organizojë bisedime të nivelit të lartë në Kajro të dielën, me qëllim tejkalimin e boshllëqeve në një propozim në zhvillim për një armëpushim dhe lirimin e shumë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Në bisedime pritet të marrin pjesë drejtori i CIA-s, William Burns, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefi i Shërbimit egjiptian të zbulimit, Abbas Kamel, sipas dy zyrtarëve egjiptianë që folën me kusht që të mos u përmendet emri.
Hamasi dërgoi një delegacion në kryeqytetin egjiptian për t’u informuar nga ndërmjetësit egjiptianë dhe ata nga Katari, por nuk po merr pjesë drejtpërdrejt në negociata.
Shef i Agjencisë izraelite të Zbulimit, David Barnea, pritej të merrte pjesë, por zyrtarët thanë se nuk ishte menjëherë e qartë nëse kjo do të ndodhë pas tensioneve Izrael-Hezbollah./VOA