
Izraeli mobilizon rezervistët pas ngritjes së shqetësimeve për armëpushimin në Gazë
Ushtria izraelite ka thirrur rezervistët për përgatitje për rifillim të mundshëm të luftimeve në Gazë, nëse “Hamasi” nuk përmbush afatin e së shtunës për lirimin e më shumë pengjeve izraelite dhe nëse prishet armëpushimi thuajse njëmujor – raporton të mërkurën, më 12.02.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.
Shqetësimi se armëpushimi do të prishet po rritet, ndërsa po shtohet zemërimi në vendet arabe lidhur me planin e presidentit Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të marrin nën kontroll Gazën, të zhvendosin e rivendosin banorët palestinezë dhe ta kthejnë në rivierë vendpushimi bregdetar ndërkombëtar.
Sipas Marrëveshjes së armëpushimit në fuqi që nga 19 janari, “Hamasi” duhet të lirojë tri pengje të tjera të shtunën. Por, grupi militant palestinez ka theksuar këtë javë se po pezullon dorëzimin për shkak se ka shkelje izraelite të kushteve.
Trump u përgjigj duke thënë se të gjitha pengjet duhet të lirohen deri në mesditën e së shtunës, përndryshe “do të linte të shpërthejë ferri”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar më pas se vendi i tij do të rifillojë “luftimet intensive”, nëse “Hamasi” nuk përmbush afatin, por nuk ka theksuar se sa pengje duhet të lirohen.
Netanyahu ka thënë se ka urdhëruar ushtrinë të mblidhte forcat në dhe rreth Gazës dhe ushtria ka njoftuar se po vendos forca shtesë në jug të Izraelit – duke përfshirë mobilizimin e rezervistëve.
Shefi i “Hamasit” në Gazë, Khalil Al-Hayya ka mbërritur në Kajro të mërkurën për një vizitë të papritur për të diskutuar armëpushimin e brishtë. Një zyrtar i “Hamasit” i ka thënë Reutersit se ndërmjetësuesit, Egjipti dhe Katari, kanë shtuar përpjekjet për t’i dhënë fund ngërçit aktual.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com