Flamuri i Izraelit, Foto: Eduardo Castro

Izraeli konfirmon vrasjen e liderit ushtarak të ‘Hamasit’

Ushtria izraelite e ka konfirmuar se lideri ushtarak i “Hamasit”, Mohammed Deif, u vra nga një sulm ajror izraelit në korrik 2024 në Rripin e Gazës, shkruan media britanike BBC.

Deif u shënjestrua me sulmin e kryer mbi një zonë në rrethinën e Khan Younisit më 13.07.2024. “Hamasi” ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.

Izraeli njofton se Deif ishte një prej figurave kryesore për planifikimin e sulmeve të 07.10.2023 në Izraelin jugor, ku mbetën të vdekur 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng prej militantëve të “Hamasit”.

Ndërkaq, më 31.07.2024 lideri politik i “Hamasit”, Ismail Haniyeh, u vra gjatë një vizite në Iran. Izraeli nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij drejtpërdrejt, por fraksioni palestinez pretendon se sulmi u krye nga ushtria izraelite.

Në një deklaratë të shkruar më 01.08.2024 ushtria izraelite ka thënë se “pas vlerësimeve të inteligjencës, mund të konfirmohet se Mohammed Deif është eliminuar” në sulmin e 13.07.2024.

Autoritetet e shëndetësisë të Gazës, të kontrolluara nga “Hamasi”, atëherë kishin thënë se sulmi ajror kishte lënë të vdekur më shumë se 90 persona, por kishin mohuar se Deif ishte në mesin e të vdekurve.

Deif ishte parë gjerësisht si njeriu i dytë më i lartë në komandën e “Hamasit” në Gazë, prapa Yahya Sinvarit, liderit të grupit në territor.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë se vdekja e Deifit “është sukses i jashtëzakonshëm” për të shpartalluar “Hamasin”.

“Ky operacion reflekton faktin se ‘Hamasi’ po shpartallohet dhe se terroristët e ‘Hamasit’ mund të dorëzohen ose do të eliminohen”- ka shtuar ai.

Kush ishte Mohammed Deif?

Mohammed Deif ishte lideri i Brigadave “Izzedine al-Qassam”, krahu ushtarak i lëvizjes së “Hamasit”. Për dekada me radhë ishte njëri prej njerëzve më të kërkuar të Izraelit dhe besohet se ia doli t’u mbijetonte shtatë përpjekjeve për vrasje.

Raportet në Izrael dhe në mediat palestineze thonë se Deif u lind në kampin e refugjatëve të Gazës në Khan Yunis më 1965, kur territori ishte pushtuar prej Egjiptit. Në vitet tetëdhjetë, ai u bashkua me radhët e “Hamasit” dhe menjëherë ra në sy në hierarkinë komanduese.

Izraeli e akuzonte atë për planifikimin dhe mbikëqyrjen e bombardimeve të autobusëve, që lanë të vdekur dhjetëra izraelitë më 1996, dhe për përfshirje në kapjen dhe vrasjen e ushtarëve izraelitë në mes të viteve nëntëdhjetë.

Deif mendohet se mbështeti edhe inxhierimin e ndërtimit të tuneleve që ua mundësuan luftëtarëve të “Hamasit” të futeshin nga Gaza në Izrael.

Në vitin 2002, ai do të merrte drejtimin e krahut ushtarak të “Hamasit”. Më 2014, Izraeli provoi ta vriste Deifin me një sulm arjror në një shtëpi në lagjen e Gazës, Sheik Radvan, duke vrarë gruan e Deifit, Vidadin dhe të birin e tyre të vogël, Aliun. Izraeli mendonte se edhe Deif ishte vrarë, por nuk ishte në objekt në kohën e sulmit.

Gjatë konfliktit të fundit, Deif besohet se kishte drejtuar operacionet ushtarake të “Hamasit” prej tuneleve nëntokësore brenda Gazës.

Konfirmimi i vdekjes së Deifit vjen në fund të një jave të trazuar në konfliktin Izrael-Gazë, që ka ngjallur frikën e përhapjes së konfliktit në rajon. Të shtunën 12 fëmijë izraelitë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën pasi një raketë ra në një fushë futbolli në rrafshnaltat e pushtuara të Golanit. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, fajësoi grupin me bazë në Liban, “Hezbollah”, duke paralajmëruar se “ata do të paguajnë një çmim të madh”.

Të martën, Izraeli dridhi me bombardimi ajrore Bejrutin, duke vrarë komandantin e njohur të “Hezbollahut”, Fuad Shukr, si dhe katër persona të tjerë, përfshirë dy fëmijë.

Disa orë më vonë, lideri politik i “Hamasit”, Ismail Haniyeh, u vra me një sulm ajror në një ndërtesë ku Haniyeh po qëndronte gjatë vizitës së tij në Iran.

Përgatiti: Rexhep Maloku