Ilustrim: Gaza, Foto: UNRWA/facebook

Izraeli e SHBA-ja refuzojnë alternativën arabe për planin e Trumpit për Gazën

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë të mërkurën, më 05.03.2025, një plan të arabëve për rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës që do t’ua mundësonte 2.1 milionë palestinezëve që jetojnë të mos i lëshojnë vatrat e tyre, ka raportuar televizioni britanik, BBC.

Propozimi, i mbështetur nga liderët arabë në një samit të mbajtur në Kajro, është alternativë për idenë e presidentit Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Gazës dhe të zhvendosin gjetiu përjetësisht popullsinë vendase.

Autoriteti Palestinez dhe Hamasi kanë mirëpritur planin arab, i cili bën thirrje që Gaza të qeveriset përkohësisht prej një komiteti të ekspertëve të pavarur dhe për dërgimin e paqeruajtësve ndërkombëtarë atje.

Por edhe Shtëpia e Bardhë, edhe Ministria e Jashtme izraelite kanë thënë se plani nuk adreson realitetin në Gazë dhe kanë vazhduar ta mbështesin propozimin e presidentit Trump.

Samiti është mbajtur pas ngritjes së shqetësimeve për armëpushimin e brishtë në Gaza që mund të prishet pasi të shtunën ka skaduar faza e parë gjashtëjavore.

Izraeli ka bllokuar ndihmën që po hynte në territor që t’i bëhet presion Hamasit që të pranojë një propozim të ri amerikan për zgjatje të përkohshme të armëpushimit, gjatë të cilit do të mund të liroheshin të tjera pengje izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Hamasi ka ngulmuar se faza e dytë duhet të fillojë sikurse ishin pajtuar palët, duke shpënë drejt fundit të luftës dhe tërheqjes së plotë të trupave izraelite.

Plani arab prej 53 miliardë dollarësh amerikanë për rindërtimin e Gazës pas përfundimit të luftës është paraqitur prej Egjiptit në një samit të Ligës Arabe të mbajtur të martën.

Në deklaratën me të cilën mbështetej plani spikatet “refuzimi kategorik i çfarëdo forme të zhvendosjes së popullit palestinez”, duke e përshkruar këtë ide si “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, krim kundër njerëzimit dhe spastrim etnik”.

Plani spikat rindërtimin e vendit në tri faza që do të zgjasnin pesë vjet. Gjatë kësaj periudhe rreth 1.5 milion banorë të Gazës do të vendoseshin në 200 mijë njësi të fabrikuara banimi dhe në 60 mijë shtëpi të riparuara.

Në fazën e parë, që do të zgjaste gjashtë muaj dhe do të kushtonte tre miliardë dollarë, do të pastroheshin miliona tonelata rrënoja dhe materiale të tjera inerte.

Faza e dytë, e cila do të zgjaste dy vjet dhe do të kushtonte 20 miliardë dollarë, do të merret me banimin. Një aeroport, dy dete dhe një zonë industriale do të ndërtohej gjatë fazës së tretë, që do të zgjaste dy vjet të tjera dhe do të kushtonte 30 miliardë dollarë.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com