Ilustrim

Izraeli e Libani pritet të arrijnë ujdi armëpushimi brenda ditësh

Kryeministri i Libanit ka shprehur shpresën se një ujdi armëpushimi mund të arrihet me Izraelin brenda ditësh, derisa televizioni publik i Libanit ka publikuar atë që e ka quajtur draft të marrëveshjes për armëpushim fillestar prej 60 ditësh, ka raportuar Reuters në orët e hershme të mëngjesit të 30 tetorit.

Dokumenti, të cilin e ka transmetuar Kan, është një propozim i shkruar nga Uashingtoni, ku Izraeli parashikohet të tërheqë trupat nga Libani në javën e parë të fuqizimit të armëpushimit. Drafti ka shumë hollësi të raportuara më parë nga Reuters.

Kryeministri libanez, Najib Mikati, kishte thënë se nuk besonte se marrëveshja mund të realizohet para zgjedhjeve presidenciale amerikane të 5 nëntorit. Por ka thënë se shpresat i janë shtuar pasi ka folur me emisarin amerikan për Lindje të Mesme, Amos Hochstein, i cili pritet të udhëtojë të enjten drejt Izraelit.

“Hochstein, gjatë thirrje telefonike që më bëri, më sugjeroi se një ujdi mund të arrihet në fund të muajit dhe para 5 nëntorit”, ka deklaruar Mikati për televizionin “Al-Jadeed”.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi dhe ne duhet të jemi optimistë se në orët dhe ditët e ardhshme do të kemi armëpushim”.

Zyrtarët e Izraelit nuk e kanë komentuar menjëherë deklaratën e Mikatit për armëpushim të mundshëm para zgjedhjeve presidenciale amerikane.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com