Izraeli e bombardon Gazën pas sulmit vdekjeprurës me raketa të Nablusit

Izraeli e ka bombarduar Rripin e Gazës pasi luftëtarët palestinezë lëshuan disa raketa nga enklava e rrethuar bregdetare mes tensioneve mbi një sulm izraelit që la të vrarë të paktën 11 palestinezë në qytetin e pushtuar të Bregut Perëndimor të Nablusit.

Sulmet e hershme të së enjtes krijuan shtëllunga tymi të zi që ngriheshin mbi një nga vendet e targetuara në veri të qytetit të Gazës.

Disa orë më parë, raketat e lëshuara nga Rripi i Gazës e ndriçuan qiellin e natës dhe shkaktuan sirena në qytetet izraelite të Sderot dhe Ashkelon.

Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima.

Dëshmitarët palestinezë thanë se kanë parë të paktën tetë raketa të lëshuara, ndërsa ushtria izraelite tha se numri i predhave ishte gjashtë.

Ushtria izraelite ka thënë se sistemi i saj i mbrojtjes ajrore ka kapur pesë nga raketat, ndërsa e gjashta ka rënë në një zonë të pabanuar.

Asnjë grup palestinez nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin me raketa të së enjtes.

Lëshimet e raketave erdhën pasi grupi i Xhihadit Islamik Palestinez me seli në Gaza dënoi sulmin e ushtrisë izraelite në Nablus të mërkurën si një “krim të madh” të cilit “rezistenca duhet t’i përgjigjet”. Hamasi, i cili qeveris enklavën bregdetare, kishte lëshuar gjithashtu një paralajmërim, me zëdhënësin Abu Obeida duke thënë se “rezistenca në Gaza po vëzhgon krimet në rritje të armikut kundër popullit tonë në Bregun Perëndimor të pushtuar”. Ai shtoi se “durimi i tyre po mbaron”.

Bastisja e Nablusit ishte një nga operacionet më vdekjeprurëse izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga Intifada e dytë ose kryengritja palestineze e viteve 2000-2005. Numri i të vdekurve të mërkurën e kaloi atë të një sulmi izraelit muajin e kaluar në qytetin e Jeninit, më në veri.

Ndër të vdekurit në Nablus ishin tre burra palestinezë, të moshës 72, 66 dhe 61 vjeç, dhe një djalë 16-vjeçar, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

Të paktën 100 të tjerë u plagosën. Rreth 82 prej tyre u goditën me municion të vërtetë, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë.

Ushtria izraelite i bllokoi të gjitha hyrjet në Nablus të mërkurën në mëngjes përpara se ta rrethonte një shtëpi me dy luftëtarë palestinezë të kërkuar, Hossam Isleem dhe Mohammad Abdulghani, të cilët u vranë të dy. Grupi i armatosur i Luanëve Palestinez tha në një deklaratë se u angazhua në përleshje me forcat izraelite gjatë bastisjes, së bashku me Balata Brigadas të formuara së fundmi.

Ushtria izraelite tha se është futur në Nablus për t’i arrestuar tre luftëtarë të dyshuar për sulme të mëparshme kundër izraelitëve.

Operacioni katër-orësh la një pjesë të madhe dëmtimesh në një treg shekullor në Nablus./Al Jazeera

Përgatiti: Nuhi Shala