
Foto: REL/Reuters
Izraeli do ta aprovojë Marrëveshjen e armëpushimit dhe pengjeve - thotë Zyra e Netanyahut
Kabineti izraelit do t’ia japë aprovimin përfundimtar ujdisë me grupin militant palestinez, “Hamas”, për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve – ka bërë të ditur të premten, më 17.01.2025, Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.
Në vetë Gazën, aeroplanët izraelitë kanë vazhduar sulmet e intensifikuara dhe autoritetet palestineze kanë thënë se të enjten janë vrarë 86 persona një ditë pas arritjes së Marrëveshjes.
Me ndasitë e kahershme që janë të dukshme në mesin e Ministrave, Izraeli ka shtyrë takimet e pritura për të enjten kur Kabineti pritej të votonte paktin – duke fajësuar “Hamasin” për rigrupim.
Por në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, zyra e Netanyahut ka thënë se aprovimi do të jetë i menjëhershëm.
“Kryeministri Benjamin Netanyahu është informuar prej ekipit negociues se Marrëveshjet janë arritur me pajtimin për lirimin e pengjeve.” – ka njoftuar Zyra Kryeministrore, në një deklaratë të shkruar.
Kabineti i Sigurisë do të takohet të premten para një takimi të krejt ekipit qeveritar, për ta aprovuar Marrëveshjen e ndërmjetësuar në Katar, për të cilin rol kritik kanë pasur Administrata e presidenti amerikan, Joe Biden dhe ajo e presidentit të zgjedhur, Donald Trump.
Marrëveshja parashihet të hyjë në fuqi më 19 janar – një ditë para inaugurimit të Trumpit president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com