Karrocat për personat me aftësi të kufizuara, donacioni nga Izreali për Kosovën - Foto: Facebook/ Elbert Krasniqi

Izraeli dhuron 70 karroca për fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë

Izraeli ka dhënë Kosovës, përkatësisht shoqatës “Handikos”, donacion 70 karroca për personat me aftësi të kufizuara.

Nga donacioni pritet të përfitojnë fëmijët nëpër komuna të ndryshme të vendit.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv ka thëne se këto karroca janë simbol për të forcuar jo vetëm  lidhjen me Kosovën,  por edhe me popullin dhe fëmijët e këtij vendi, me qëllimin që të ju shërbejnë për tu integruar më mirë në jetën e përditshme.

“Këto karroca janë simbol i miqësisë mes vendeve tona dhe simbol i rëndësisë që në Izrael u japim marrëdhënieve me Kosovën”- tha ambasadorja  Ziv.

Kurse, drejtori i qendrës së Shoqatës “Handikos”, Afrim Maliqi bëri të ditur si personat me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe të rriturit nuk marrin asnjë pajisje ndimëse apo edhe  shërbime institucionale.

Sipas tij nuk marrin ndihma përpos shërbimeve sociale nga organizatat e ndryshme joqeveritare(OJQ), dhe ndonjë mbështeje financiare që e marrin si kompensim mujor për mbulimin e shërbimeve të tyre ditore, po ashtu  përballen me mungesë të infrastrukturës së përshatsmë për të lëvizur lirshëm.

“Vendi jonë ende ballafaqohet me mungesën e infrastrukturës apo qasjes së duhur, të përshtatshme që personat me aftësi të kufizuara apo përdoruesit të karrocave të jenë jenë të barabartë në lëvizjen e lirë”- thotë ai.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe ministri  i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili u shpreh i lumtur për dhurimin e karrocave nga Izraeli sepse sipas tij 70 fëmijë nga regjione të ndryshme të Kosovës do të kenë mundësi të përfitojnë.

Ceremonia e shpërndarjes së karrocave është bërë në Shoqatën “Hendikos”. Kjo është hera e dytë që brenda vitit dhurohen karroca nga izraeli, pasi në muajin prill u dhuruan 93 sosh.