Flamuri izraelit.
Izraeli dërgon aeroplanë në Holandë për kthimin e tifozëve të rrahur
Udhëheqësit holandezë dhe izraelitë kanë dënuar sulmet ndaj izraelitëve në Amsterdam të enjten mbrëma, ka raportuar BBC më 08.11.2024.
Dhuna shpërtheu kur klubi izraelit i futbollit Maccabi Tel-Aviv ndodhej në Amsterdam për zhvillimin e ndeshjes në Europa League
Të paktën 62 persona u arrestuan, ka njoftuar policia holandeze, dhe pesë persona u dërguan në spital.
Kryeministri holandez, Dick Schoof, ka theksuar se është “i tmerruar nga sulmet antisemite ndaj qytetarëve izraelitë”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dërgoi dy avionë shpëtimi në Amsterdam pas “një incidenti shumë të dhunshëm” që synonte qytetarët izraelitë të enjten, ka njoftuar zyra e tij, raporton “The Guardian”.
Ministria e Sigurisë Kombëtare e Izraelit u bëri thirrje qytetarëve të saj në Amsterdam të qëndrojnë në dhomat e tyre të hotelit, tha zyra e kryeministrit në një deklaratë të dytë.
Adi Reuben, një tifoz 24-vjeçar i Maccabi Tel-Avivit që po vizitonte Amsterdamin, ka treguar momentin kur u sulmua dhe u përplas për dysheme nga një grup të rinjsh. “Mbrëmë zbritëm nga stacioni i metrosë dhe nisëm të ecnim drejt hotelit Mozart ku po qëndronim”, thotë ai.
“Më shumë se 10 burra që dukeshin arabë ose turq menjëherë erdhën drejt meje dhe miqve të mi dhe na pyetën ‘nga jeni’. Ata bërtisnin ‘hebre, hebre, IDF, IDF’”.
“Ata filluan të ngatërroheshin me mua dhe kuptova se duhej të ikja, por ishte errësirë dhe nuk dija ku të shkoja, ka treguar Reuben. “Unë rashë përtokë derisa dhjetë njerëz po më goditnin. Ata bërtisnin “Falestin” (Palestinë). Ata më goditën rreth një minutë, pastaj u larguan, ata nuk kishin frikë nga asgjë”.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, e quan dhunën një “pogrom antisemit”
“E kuptova se kisha gjak të plotë në hundë dhe hunda ime ishte thyer dhe është shumë e dhimbshme. Gjithashtu nuk mund të shihja mirë për rreth 30 minuta pasi ndodhi”, ka treguar Reuben për BBC-në. “Unë jam duke hipur në një avion izraelit i cili erdhi për të na shpëtuar këtë pasdite dhe do të marr trajtim mjekësor në vendlindje”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com