
Izrael: Parlamenti miraton një projektligj për ta kufizuar fuqinë e Gjykatës së Lartë
Policia izraelite është përleshur me turmat e protestuesve gjatë natës pasi parlamenti i atjeshëm e ka miratuar një ligj shumë të diskutueshëm për t’i kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë.
Ky vendim – pjesë e një pakete të madhe reformash – do të parandalojë gjykatën t’i rrëzojë veprimet e qeverisë që i konsideron të paarsyeshme.
Policia në Jerusalem dhe Tel Aviv përdori topa uji për t’i shpërndarë protestuesit të cilët i kishin bllokuar autostradat.
Kritikët thonë se reformat e qeverisë së djathtë e kërcënojnë demokracinë izraelite.
Pas muajsh protestash masive në rrugë për reformën në drejtësi, votimi i së hënës në Knesset (parlamenti) ishte një fitore e rëndësishme për kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Mirëpo kjo betëjë nuk ka përfunduar. Mund të vazhdojë me muaj të tërë.
Një grup mbikëqyrës politik dhe udhëheqësi i opozitës qendrore Yair Lapid planifikojnë t’i bëjnë kërkesë Gjykatës së Lartë për të anuluar ligjin e ri.
Netanyahu ka këmbëngulur se ligji është i nevojshëm që qeveria “ta zbatojë politikën në përputhje me vendimin e shumicës së qytetarëve të vendit”.
Por ai tha se është i gatshëm t’i rifillonte bisedimet me opozitën, edhe deri në nëntor, për ta gjetur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Reformat e planifikuara kanë shkaktuar disa nga protestat më të mëdha në historinë e Izraelit. Të hënën të paktën 22 persona u arrestuan, tha policia.
Kundërshtarët kanë frikë se ndryshimet mund ta minojnë sistemin demokratik të vendit, duke e kthyer atë në territor autoritar.
Ata shqetësohen se partitë fetare nacionaliste dhe ultra-ortodokse të lidhura me Netanyahun do të jenë në gjendje ta formësojnë politikën me fuqi të pakontrolluar.
Mirëpo qeveria argumenton se reformat janë të nevojshme për ta korrigjuar një çekuilibër në pushtet duke qenë dëshmitar i rasteve kur gjykatat kanë ndërhyrë gjithnjë e më shumë në vendimet politike.
Reformat e diskutueshme e kanë polarizuar Izraelin, duke shkaktuar një nga krizat më serioze të brendshme në historinë e këtij vendi.
Qindra mijëra demonstrues kanë dalë në rrugë çdo javë që nga fillimi i vitit në shenjë proteste ndaj asaj që ata thonë se është një sulm ndaj demokracisë.
Ish-udhëheqësit e shërbimeve të sigurisë izraelite, kryetarët e drejtësisë dhe figura të njohura juridike dhe biznesi kanë qenë gjithashtu të zëshëm kundër reformave të qeverisë.
Këto vendime janë kritikuar edhe nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili në komentet e tij më eksplicite ka bërë thirrje që reformat “përçarëse” të shtyhen./BBC
Përgatiti: Nuhi Shala