Foto: REL/Reuters

Izolohen 10 qytete në Itali pas vdekjes së dy italianëve nga Koronavirusi

Italia është bërë vendi i parë në Europë në të cilin kanë vdekur shtetasit e tij nga nga koronavirusi COVID-19, raporton Euronews.

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga Koronavirusi në shkallë vendi është 117, me 89 në Lombardi, 25 në Veneto, 2 në Emilia Romagna dhe një në Piemonte, raportoi Agjencia italiane e lajmeve – ANSA.

Autoritetet thanë që ata vendosën që t’i izolojnë dhjetë qytete në veri të vendit pasi një numër i madh i të prekurve u shfaqën të premten.

Autoritetet italiane njoftuan të shtunën se kishte vdekur një grua 75-vjeçare nga Lombardia, e cila pasoi vdekjen e një burri, 78 vjeç, nga Veneto.

Një burrë 38-vjeçar u shtrua në spital atje dhe gruaja e tij dhe një shok gjithashtu. Pesë pjesëtarë të stafit mjekësor, përfshirë infermierë dhe mjekë, gjithashtu kanë dalë pozitivë.

Rreth 150 njerëz, përfshirë personelin mjekësor, janë në izolim duke kaluar teste, raporton Euronews.

Kryetari i Komunës Codogno nxori një dekret që urdhëronte mbylljen e të gjitha restoranteve, të kafeve, shkollave dhe pikave të grumbullimit publik, siç janë klube të natës dhe palestra. Ministria e Shëndetësisë këshilloi banorët e zonës të qëndrojnë në shtëpi si masa paraprake.

Zyrtarët lokalë në një qytet tjetër, Casalpusterlengo, urdhëruan shkollat lokale të mbyllen deri të martën.

Një qytet i tretë, Castiglione d’Adda, tha që bibliotekat, zyrat publike, palestrat dhe depot e mbeturinave do të mbyllen si një kujdes shëndetësor.

Spitali në Codogno mbylli dhomën e tij të urgjencës dhe personeli u pa duke veshur maska ndërsa të tjerë sillnin shtretër dhe mobilie të reja ndërsa karantina filloi.

Mediat lokale italiane thanë të shtunën se të paktën 10 qytete ishin izoluar në mënyrë efektive: Casalpusterlengo, Codogno, Castiglione d’Adda, Fombio, Maleo, Somaglia, Bertonico, Terranova dei Passerini, Castelgerundo dhe San Fiorano.