Ivan Todosijeviç e humb mandatin në Zveçan, KQZ e zëvendëson

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim për zëvendësimin e kandidatit të Listës Serbe, Ivan Todosijevic, i cili ishte certifikuar si asamblist për Kuvendin Komunal të Zveçanit.

Kjo pasi Teodosijeviç është dënuar me vendim të formës së prerë për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Sipas KQZ edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K095/20, ndër të tjera konstaton që fitimi i ulëses në mënyrë kundërligjore e bën të pavlefshëm mandatin e fituar.

Ai është zëvendësuar me Marko Stefanoviç.

Neni 29 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pika Q, specifikon se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale gjatë tri viteve të fundit.

Në muajin gusht, Gjykata e Apelit në Kosovë ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviç, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Ivan Todosijeviç më herët ka mbajtur edhe postin e ministrit të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.