Ivan Angelovski: Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Serbi

Redaktori i hulumtimeve regjionale në BIRN, Ivan Angelovski, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për ndikimin rus në media sa u përket rezultateve në zgjedhje në Serbi.

Ai ka thënë se ndikimi rus ka filluar qysh në vitet e ’90 dhe sot shihen rezultate kur presidenti i Serbisë thotë se lufta në Ukrainë ka ndikuar në rezultate.

“Ndikimi rus në media shihet këtu, ajo që kishte filluar në Serbi para shumë vitesh, në vitet e 90-ta, sot shihen rezultate ku vetë presidenti i Serbisë thotë se lufta në Ukrainë ka ndikuar shumë në rezultate sepse partitë pro-ruse në Serbi kanë shumë më shumë përkrahje se sa asnjëherë më parë. Kjo nuk ka filluar tani me luftën në Ukrainë por ka filluar në vitet e 90-ta dhe prandaj edhe duhet të luftohen keqinformimet në çdo moment dhe çdo mundësi”, ka thënë ai.

Angelovski, njëherit producent i CBC Canada, tutje ka thënë se në rajon Kina është duke financuar media dhe se BIRN ka krijuar një hartë gjithëpërfshirëse të projekteve të financuara nga Kina.

“Ne, apo BIRN ka krijuar një hartë gjithëpërfshirëse të projekteve të financuara nga Kina në rajonin tonë dhe natyrisht ata janë duke financuar media”, ka thënë Angelovski.

Angelovski ka thënë se për këto projekte të financuara nga Kina do të paguajnë njerëzit e Ballkanit dhe sipas tij kjo është pikërisht esenca e keqinformimit.

“Këtoi nvestime kineze, që Kina po i dhuron të njerëzit e Ballkanit, mirëpo kur i sheh në të vërtetë këto projekte, e vëren që ato janë projekte të financuara nga Kina mirëpo në fund njerëzit e Ballkanit do të paguajnë për to në fund dhe kjo është pikërisht esenca e keqinformimit, kur shtrembërohet e vërteta, kur bëhen formulime qëllimisht të pasakta dhe krijojnë një realitet paralel në vetvete”, tha ai.

Redaktori i hulumtimeve regjionale në BIRN ka thënë se sa u përket lajmeve të rrejshme mediat tradicionale kanë përgjegjësi më të madhe.

“Ekziston një përgjegjësi e madhe nga mediat tradicionale, sepse pastaj njerëzit shkojnë në burime alternative si Facebook apo mediat e tjera sociale, ku përmbajtja krijohet nga ndikime të ndryshme”, ka thënë ai.