Ilustrim

Iu ndalua hyrja në shkollë mësueses me shami, gjykata vendos për ish-drejtorin

Liman Bytyçi, ish-drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit” në Suharekë  – është shpallur fajtor nga Gjykata e Prizrenit më 23.07.2024 pasi akuzohej se shkaku i shamisë mësueses në Suharekë ia ndaloi hyrjen në shkollë.

Bytyçit iu shqiptua dënimi me kusht duke ia vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej një viti, njëkohësisht urdhëron që ky dënim të mos ekzekutohet nëse në kohen e verifikimit prej dy vitesh i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale. Dhe gjithashtu të njëjtit i janë ngarkuar shpenzimet e procedurës.

Ndërsa, lidhur me dënimin e shqiptuar nga gjykata, avokati i të të akuzuarit Bytyçi, Qazim Hasanaj ka deklaruar për KALLXO.com se do të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit.

Hasanaj u shpreh se janë të pakënaqur me vendimin e gjykatës.

‘’Është e pakuptueshme që gjykata ka nxjerr një aktgjykim të tillë pasi që edhe përshkrimi faktik i dispozitivit të aktakuzës është në kundërshtim me provat e administruara’’ – u shpreh avokati për KALLXO.com, më 14.08.2024.

Duke dhënë sqarim se “në përshkrim të dispozitivit të aktakuzës thuhet që Liman Bytyçi në cilësinë e drejtorit ia ka ndaluar listën e nënshkrimit të grevës, e të cilin në fakt edhe e dëmtuara gjatë seancës ka deklaruar se drejtori nuk ia ka mohuar këtë nënshkrim, por është mohuar nga kryetarja e sindikatës” – tha avokati Hasanaj.

Sipas dosjes së Prokurorisë më datë 30.08.2022, në fshatin Reshtan, komuna e Suharekës, në shkollën fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit”, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i shkollës duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij ia mohon ose ia kufizon të drejtën për shprehje të lirë të identitetit të saj ose për të gëzuar autonominë e saj fetare të dëmtuarës, Remzije Lezi.

Në aktakuzë thuhet se pasi e dëmtuara kishte vendosur mbulesë fetare dhe për herë të parë ishte paraqitur me mbulesë në shkollën ku punonte si mësimdhënëse e matematikës, i pandehuri si drejtor i shkollës ia ndalon hyrjen në objekt.

Prokuroria thotë se e dëmtuara edhe përkundër ndalesës ka shkuar në shkollë dhe ka qëndruar aty aq sa ka qenë e paraparë të rri, por që nuk është lejuar të nënshkruajë listën e prezencës në detyrë e as listën e sindikatës meqë ishin në grevë.

Sipas aktakuzës, ditën kritike i pandehuri ia ofron të dëmtuarës vendimin e Këshillit Drejtues të shkollës nr.31 datë 29 .08.2022, në bazë të së cilit nuk i lejohet ushtrimi i profesionit të mësueses në atë shkollë dhe pas këtij vendimi e njëjta dy ditë nuk shkon në shkollë, por pasi dëgjon në lajme kryetarin e komunës së Suharekës, se ai vendim është i pavlefshëm të nesërmen shkon në shkollë – por përsëri i pandehuri i kërkon që të largohet dhe po ashtu ia mohon të drejtën e nënshkrimit në listën e arsimtarëve prezentë në shkollë.

Me këtë sipas Prokurorisë, i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë – LINK.