
Foto: Gresa Caka/Facebook
Iu lakua emri në komunikimin mes Petrit Selimit e Berat Buzhalës, reagon ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka, ka reaguar pas emri i saj është lakuar në një komunikim mes dy eksponentëve që para disa vitesh kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Petrit Selimi e Berat Buzhala.
Në komunikimin e Selimit dhe Buzhalës u lakuan emra të kandidatëve të mundshëm, sipas tyre, për kryeministër të Kosovës, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 09.02.2025.
Ky komunikim ishte shfaqur gjatë një transmetimi live në rrjetin social Facebook të Buzhalës.
Emri i Gresa Cakës është përmendur po ashtu në këtë komunikim.
Rreth kësaj çështjeje ka reaguar sot, më 14.02.2025, Gresa Caka.
Në fillim të reagimit, Caka thotë se nuk ka reaguar asnjëherë ndaj sulmeve, shpifjeve dhe linçimit që fatkeqësisht, sipas saj, e karakterizojnë diskursin publik.
“Vlerësoj që një nivel dhe mënyrë e tillë e padenjë e komunikimit, nuk meriton të legjitimohet me përgjigje” – ka theksuar Gresa Caka.
Por, meqë emri i saj është përmendur pa miratimin e saj, ajo ka dhënë një sqarim, siç e ka quajtur “të shkurtër dhe të prerë”.
“Vlerësoj që një nivel dhe mënyrë e tillë e padenjë e komunikimit, nuk meriton të legjitimohet me përgjigje. Përjashtimisht dhe marrë parasysh që një bisedë në të cilën është përmendur edhe emri im, pa dijeninë dhe rrjedhimisht, pa miratimin tim, ka mjaftuar për të filluar një fushatë agresive dezinformatash bazuar në kauza të motivuara politikisht, përfshirë kundër institucioneve të Republikës, konsideroj që është i nevojshëm një sqarim i shkurtër dhe i prerë” – ka thënë Caka në Facebook.
Sipas Cakës, ajo nuk ka disktuar me asnjë person e as parti politike rreth asnjë funksioni publik e politik, si dhe thotë se nuk ka asnjë interesim për diskutime të tilla.
“Do të mbetem gjithnjë krenare që i kam shërbyer një institucioni me kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe vlerave të demokracisë në Republikën e Kosovës. Ndërsa, ashtu siç jam deklaruar gjithnjë, brenda fushëveprimit të profesionit tim, do të vazhdoj të punoj me përkushtim për forcimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës, duke e mbrojtur edhe integritetin e funksionit që kam ushtruar në Gjykatën Kushtetuese” – ka theksuar Caka.
Ajo ka paralajmëruar se të gjitha çështjet e tjera do t’i adresojë “përmes mekanizmave ligjorë”.
Caka ishte zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës më 17.05.2021.
Në anën tjetër, Petrit Selimi në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se biseda private bëhen çdo ditë në çdo tavolinë dhe se ato nuk përbëjnë lajm, teksa ka mohuar që është i përfshirë në bisedime mes PDK-së e LDK-së për të formuar një Qeveri të opozitës.
“Nuk jam zyrtar i PDK që nga 2016. Pra rrumbullak 9 vjet s’kam funksione partiake dhe as nuk përfaqësoj në asnjë forum dhe interaksion asnjë parti. Por ja që jetojmë në kohëra dhe nën një regjim ku konspiracioni, gënjeshtra, polarizimi dhe zbulimi i armiqve të brendshëm dhe jashtëm është zëvendësim për qeverisje. Copëza bisedash private çfarë bëhen çdo ditë, në çdo tavolinë mes mijëra qytetarëve të brengosur për drejtimin ku po shkojmë, nuk përbëjnë lajm dhe as që i komentoj…” – është përgjigjur me shkrim Selimi.
Gjatë bisedës me Buzhalën në WhatsApp, Selimi ndër të tjera thotë se mundet edhe Vlora Çitaku të jetë kryeministre, ndërsa Berat Rukiqi (kandidat për deputet nga LDK) zëvendëskryeministër.
Në fund të bisedës, ai i thotë Buzhalës se do të ishte mirë me i thënë Lumir Abdixhikut, kandidat për kryeministër nga LDK, që mos të merret me qëndrime për disa ditë.
Për këto biseda ka folur edhe Berat Buzhala, i cili në emisionin ‘Rubikon’ i ka kërkuar falje Gresa Cakës dhe Blerim Shalës.
“Unë i kërkoj falje Gresa Cakës, me të cilën unë s’jam parë tash e 6-7 vjet, ndoshta edhe më shumë. Por edhe z. Shala, që unë kam folur privatisht me një shok timin që e njoh tash e 25 vjet. Kemi përmendur emra, qysh përmend emra njeriu pas zgjedhjeve” – ka deklaruar Buzhala.
Sipas përditësimit të fundit të bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 12.02.2025 në ora 22:12 janë numëruar 99.72 për qind e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet e 09.02.2025.
Nga rezultate aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.