Kryeministri Albin Kurti me ambasadorët e QUINT-it dhe Shefin e Zyres së BE-së në Kosovë, 02.08.2024, foto: ZKM
Iu kundërshtua plani për hapjen e urës së Ibrit, Kurti pas takimit me ambasadorët: Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë për të folur zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës si dhe çështje të tjera.
Në komunikatën e Kryeministrisë thuhet se, Kurti paraqiti para diplomatëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës” – thuhet mes tjerash në komunikatë.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë” – thonë nga Kryeministria e Kosovës.
Ura duhet të hapet dhe liria e lëvizjes e sundimi i ligjit nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë, është qëndrimi i Kosovës sipas komunikatës.
“Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë” – shkruan tutje në komunikatë.
Qeveria e Kosovës deklaron se është për integrimin e qytetarëve dhe për lëvizje të lirë.
Në takimin me diplomatët ndërkombëtar u fol edhe për politikat e punësimit në katër komunat me shumicë serbë në pjesën veriore të Kosovës, e mes tjerash u tha se interesimi i qytetarëve serbë për t’u pajisur me dokumente të Kosovës, po shënon rritje.
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara), nuk kanë mbështetur ndryshimin e statusit aktual të Urës së Ibrit në Mitrovicë.
Një gjë të tillë e ka thënë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier pas takimit të ambasadorëve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, aktualisht”- ka thënë Hovenier.
Hovenier: I treguam Kurtit që nuk e mbështesin ndryshimin e statusit për urën e Ibrit, aktualisht