Iu gjetën 17 qese marihuanë, paraburgim një muaj të dyshuarit

Një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarit, shtetasit të Kosovës me inicialet I.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit në fjalë.

Të pandehurit i ishin gjetur dhe sekuestruar 17 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 18.94 gram të përgatitura për shitje.

Sipas njoftimit, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 18 mars 2021, në Ferizaj, pa autorizim ka blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në komunikatë.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, vijon njoftimi i gjykatës.