Romë, Itali - Foto: REL/Reuters

Italia raporton numrin më të ulët të viktimave në 40 ditët e fundit

Nga Italia vijnë lajme shprese. Shteti i prekur më së shumti nga “armiku i padukshëm” më në fund duket se e ka kaluar “kulmin“ e pandemisë së coronavirusit.

Në këtë shtet është regjistruar numri më i ulët i viktimave në 40 ditët e fundit, kjo pasi që në 24 orët e fundit janë shënuar 260 viktima, një rënie drastike e shifrave kur vetëm një ditë më parë ishin 415 të vdekur.

Kjo është shifra më e ulët ditore e viktimave në 40 ditët e fundit, një e dhënë që jep shpresa për të ardhmen.

Megjithatë, numri i rasteve të reja në 24 orët e fundit ishte 2,324 , duke e çuar në total në 197,675 numrin e personave të infektuar me COVID-19 në Itali.

Gati gjysma e tyre, ose 91,572 janë të shëruar tashmë nga pandemia COVID-19.

Në rënie është edhe numri i personave të shtruar në terapi intensive, aktualisht janë 2,009 persona që marrin terapi intensive, kjo ka liruar spitalet dhe mundëson një trajtim më të mirë të pacientëve.

Që nga data 15 mars deri në mesin e muajit prill kanë qenë ditë të rënda për Italinë, kur në 24 orët raportoheshin 600 deri në 900 viktima.

Italia është ndër shtetet më të goditura nga pandemia COVID-19, duke shënuar në total 26,644 viktima.