Italia i dhuron 22 makina dezinfektuese Policisë së Kosovës

Karabinierët italianë të KFOR-it i kanë dhuruar Policisë së Kosovës 22 makina gjeneruese të ozonit për të pastruar dhe dezinfektuar zyret dhe automjetet.

Sipas njoftimi të KFOR-it, pajisjet janë financiuar nga Ministria Italiane e Mbrojtjes.

“Pajisjet u financuan nga Ministria Italiane e Mbrojtjes dhe do të lehtësojnë përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve në Kosovë kundër pandemisë COVID-19. Në muajt e kaluar ushtria Italiane, me kërkesë të institucioneve të Kosovës, siguroi një ekip të përbërë nga nëntë anëtarë të personelit nga Regjimenti i 7-të i Mbrojtjes Kimike-Biologjike-Radiologjike-Bërthamore ‘Kremona’ që dezinfektoi mbi 50 objekte publike në të gjithë Kosovën në 34 komuna të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Koloneli Enio Simone, Komandant i Regjimentit MSU-KFOR, kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit në selinë e Policisë së Kosovës në Prishtinë.