Ilustrim

Italia dhe Zvicra ripërcaktojnë kufirin pas shkrirjes së akullnajave

Zvicra dhe Italia kanë ripërcaktuar një pjesë të kufirit në Alpe për shkak të shkrirjes së akullnajave, e cila është shkaktuar nga ndryshimi klimatik, raporton BBC.

Pjesë të zonës së prekur do të jenë poshtë Matterhornit, një prej maleve më të larta të Europës, dhe afër një numri resortesh të skijimit.

Hise të mëdha të kufirit italiano-zviceran përcaktohen prej pjerrinave të të akullnajave ose prej zonës që përherë kanë dëborë, por shkrirja e akullnajave ka shkaktuar ndryshimin e kufijve natyrorë, duke i detyruar të dy vendet që të ripërcaktojnë kufirin.

Zvicra e ka aprovuar zyrtarisht marrëveshjen për ndryshimin e kufirit të premten, 27.09.2024, por Italia ende nuk e ka bërë të njëjtën punë. Kjo vjen pas një draft-marrëveshje të një komisioni të përbashkët zvicernao-italian të dorëzuar në maj 2023.

Statistikat e publikuara në shtatorin e vitit 2023 tregonin se akullnajat e Zvicrës kishin humbur 4% të vëllimit më 2023, humbja e dytë më e madhe pas shkrirjes së mëhershme rekorde të vitit 2022 kur humbja kishte arritur në 6% të vëllimit të tyre.

Një raport i përvitshëm i lëshuar prej Rrjetit të monitorimit të akullnajave të Zvicrës (Glamos), e kishte lidhur shkrirjen me stinët e vazhdueshme verore më të nxehta dhe me reshjet e pakta të borës në dimrin e vitit 2022. Hulumtuesit thonë se nëse moti do të vazhdojë ngjashëm, shkrirja e tyre do të jetë edhe më e madhe.

Zvicra ka bërë të ditur se ripërcaktimi i kufijve është bërë në pajtim me interesat ekonomike të dy vendeve.

Besohet se përcaktimi i kufijve do t’i ndihmojë dy vendet që të merren me çështje të lidhura me natyrën.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com