Itali: 87 mjekë të vdekur në “vijën e parë“ të luftës me coronavirusin

Nga Italia vijnë shifra shprese se shteti i prekur më së shumti nga “armiku i padukshëm” më në fund mund ta ketë kaluar “kulmin“ e pandemisë së coronavirusit.

Dita e tretë me radhë që në Itali ulet numri i pacientëve që pranojnë trajtim intensiv, ndërsa në vazhdimësi ka ulje të numrit të rasteve të reja me COVID-19.

Italia është shteti më i goditur nga pandemia e coronavirusit, duke regjistruar një numër të përgjithshëm prej 16,523 viktima.

Mes viktimave të fundit është edhe një 38-vjeçar nga Abruco, pa probleme të tjera shëndetësore.

Në 24 orët e fundit u raportua për 636 viktima, një rritje e vogël për dallim nga një ditë më parë kur ishin rreth 100 viktima më pak të raportuara.

Ndërsa në 24 orët e fundit u raportua për 1,931 raste të reja, që duket shifër e lehtë krahasuar me ditët kur raportoheshin 4 deri në 5 mijë raste në ditë.

Në total, COVID-19 u ka marrë jetën 16,523 personave në Itali.

Shqetësuese është se në mesin e viktimave janë edhe 87 mjekë, të cilët u infektuan në detyrë gjatë kohës kur po trajtonin persona të prekur nga COVID-19.

Italia, vendi më i goditur nga pandemia COVID-19, ka 132 mijë persona të prekur nga ky virus, përfshirë viktimat dhe të shëruarit dhe ata që janë në trajtim intensiv apo shtëpiak.

Megjithatë, autoritetet lokale të Lombardisë nuk kanë më dyshime se situata është drejt një përmirësimi të ngadaltë, por të qëndrueshëm. Përballë sinjaleve pozitive gjithnjë e më të forta, italianët po fillojnë të mendojnë për rikthimin në jetën normale. Zv/ministri i Shëndetësisë, Pierpaolo Sileri tha se pas disa javësh, ndoshta para majit, mund të fillojnë të dalin nga izolimi.

Punëtorët shëndetësorë janë personat që i ekspozohen më së shumti rrezikut për shkak të kontakteve me të prekurit me COVID-19.

Në Kosovë, që nga rasti i parë pozitiv me virus, janë infektuar dy mjekë dhe pesë infermiere.