
Isufi (AAK): Do t'i rishikojmë Marrëveshjet ndërkombëtare lidhur me sigurinë e Kosovës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) së bashku me partnerët e saj të koalicionit: Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal premtojnë se me ardhjen e tyre në pushtet do të rishikojnë të gjitha Marrëveshjet ndërkombëtare që kanë “stagnuar si shkak i moskoordinimit me aleatët ndërkombëtarë”.
Kandidati për deputet, Ahmet Isufi tha në “Debat Përnime”, më 17.01.2025, se do të bëhet rishikimi i të gjitha Marrëveshjeve të cilat janë obligative për Kosovën, me qëllim të “stabilizimit të shtetit”.
“Të gjitha Marrëveshjet të cilat janë obligative për shtetin e Kosovës e që janë të dakorduara me bashkësinë ndërkombëtare duhet të shikohen. Duhet të bëhet vlerësimi dhe duhet të bëhet implementimi i tyre, sepse ne kemi të bëjmë me elemente të cilat e stabilizojnë Kosovën dhe e forcojnë shtetin.” – ka thënë Isufi.
Përjashtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga ushtrimi “Defender Europe ’23” e cila kishte ardhur si masë sanksionuese nga SHBA-ja pas zhvillimeve në Veri të Kosovës në maj të 2023-së, është njëra nga Marrëveshjet që AAK me partnerët e saj të koalicionit zotohet se do ta rishikojnë.
Rishikim të Marrëveshjeve do të ketë edhe për ato që kanë të bëjnë me armatimin e FSK-së. Të gjitha këto, sipas Isufit, do të bëhen konform ligjeve të Kosovës dhe interesave të aleatëve ndërkombëtarë.
Kosova ka nënshkruar Marrëveshje me Turqinë për Ndërtimin e fabrikës së parë të municionit. Me një Marrëveshje të nënshkruar më 16.12.2024, me kompaninë turke të armëve – MKE, Kosova synon të ndërtojë një fabrikë të municioneve të kalibrave të ndryshëm – të parën në vend.
Nismat e tilla në kohë fushate nga Qeveria aktuale, Isufi i konsideron si propagandë politike.
Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
“Direkt në NATO”: Plani i koalicionit AAK-Nisma për sigurinë në Kosovë