Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Isuf Zejna: Për shkak të mungesës së bordit të OShP-së qytetarët mbetën pa shumë shërbime

Isuf Zejna, ekspert i prokurimit, gjatë emisionit “Kallxo Përnime” ka komentuar pasojat e zvarritjes së zgjedhjes së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Zejna tha se si pasojë e mosfunksionimit të bordit të OShP-së që nga marsi i këtiij viti qytetarët disa herë kanë mbetur pa shërbime të caktuara.

“Është bërë nami sepse shumë persona kanë mbetur pa insulina pasi që nuk ka pasur bord OShP-ja e që për shumë pacientë ato janë shumë të rëndësishme. Jo vetëm pa insulinë por edhe pa shumë artikuj të tjerë kanë mbetur. Kanë mbetur edhe pa mirëmbajtje të rrugëve e shumë shërbime të tjera që janë esenciale për funksionimin e shtetit”, tha ai.

Diana Metushi Krasniqi, hulumtuese nga KDI, tha se është shumë e rëndësishme që qytetari të jetë i vetëdijshëm për rëndësinë e OShP-së.

“Mbi 300 milionë euro kalojnë nëpër Organin Shqyrtues të Prokurimit çdo vit. Fatkeqësisht ndikimi është shumë i madh tek qytetari mosfunksionalizimi i bordit. Qytetarët nuk e dijnë që nuk kanë rrugë të pastër si shkak i bllokadave në OShP. Është shumë e rëndësishme që ata me e ditë këtë”, tha ajo.