Bedri Istrefi

Istrefi i reagon Besa Luzhës: Vala s'është në shërbim të asnjë partie

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi i ka reaguar kandidates për deputete nga koalicioni AAK-PSD, Besa Luzha, pas akuzave të saj se Telekomi po u mundëson individëve të caktuar dërgimin e mesazheve me përmbajtje politike.

Istrefi ka thënë se nuk janë shkelur dhe nuk do të shkelen të drejtat e konsumatorit dhe të dhënat personale.

“Telekomi i Kosovës njofton opinionin publik, veçmas konsumatorët e vet se, në asnjë moment nuk janë shkelur dhe nuk do të shkelen të drejtat e tyre, që janë të rregulluara sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Ligjit për Konsumatorin, e aq me tepër kur tani, në kohën e fushatës zgjedhore, disa individë si znj. Besa Luzha adreson akuza në emër të Telekomit të Kosovës, për qëllime të saj politike dhe elektorale”, ka thënë Istrefi.

Ai ka shtuar se Telekomi i Kosovës nuk mban përgjegjësi për palët e treta, të cilat edhe mund të dërgojnë SMS me përmbajtje dhe qëllim të caktuar.

“Mund t’iu sigurojmë se VALA në asnjë rrethanë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në shërbim të asnjë partie politike, grupacioni apo individi, por vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Istrefi.

Kandidatja për deputete nga AAK-PSD, Besa Luzha dje ka reaguar në profilin e saj në Facebook, ku ka thënë se ka pranuar një mesazh për pjesëmarrje në një tubim të partisë së PDK-së.

“Kapja e shtetit ndryshe nuk është. Keqpërdorimi i të dhënave të konsumatorëve nga PTK për PDK nuk është indikator i luftës së proklamuar kundër korrupcionit. Unë nuk jam anëtar/e|”, ka shkruar ajo.