Istog, vëllai padit në gjyq vëllanë për uzurpim të pronës shoqërore

Brahim Bajraktari ka paditur vëllanë e tij, Saliun, për shkak se i njëjti ka vendosur një palë dyer metali në një rrugë e cila pretendohet se është pronë shoqërore.

Nga qershori i vitit të kaluar dy vëllezërit Bajraktari janë duke u ballafaquar në Gjykatë për shkak të një aktakuze që është ngritur ndaj Sali Bajraktarit.

Brahim Bajraktari ka treguar se problemi me vëllanë nisi pas vdekjes së babait të tyre, para katër viteve, më 2017.

“E ka uzurpu tokën, pronë publike ndërsa i kanë vendos gilinderat (rrethoja të metalta) mbi rrënojën time. Në fund të vitit 2017 e kam lajmëruar disa herë Policinë. Policia ka ardhur dy herë, të tretën herë e kanë marrë uzurpuesin dhe e kanë dërguar në stacion policor në Istog ndërsa Policia na kanë thënë se nuk munden me bë ma shumë dhe se për këtë çështje duhet të njoftohet Komuna e Istogut”, tregon Brahimi për problemin me vëllezërit.

Ai shton se ka bërë disa kërkesa në Komunë për të dalë në vendin ku ishin vendosur dyert metalike dhe ato të largoheshin me arsyetimin se vëllai i tij i kishte uzurpuar pronën.

“Nga viti 2018 disa herë kam shkuar te kryetari i Komunës së Istogut, Drejtori i Inspektoratit më ka thirrë më ka thënë eja nga Austria se po e ekzekutojmë por asnjëherë nuk ka ndodhur kjo, dyert nuk janë larguar asnjëherë ani pse ishte konstatuar se vëllai im ka uzurpuar pronën e komunës”, shton tutje ai.

Problemi me dyert metalike të vendosura në pronë komunale, sipas Brahim Bajraktarit mund të sjellë edhe ngjarje fatale.

“Uzurpatori (Sali Bajraktari) është i njohur për prokurorinë, kërkoj që të bëhet zgjidhje sa më shpejtë në këtë drejtim deri sa s’jemi vra mes vete, nuk jemi bërë copë- copë. Bjerini mas dikush”, është kërkesa e Brahim Bajraktarit.

Brahimi i ka prezantuar ekipit të KALLXO.com edhe disa kërkesa urgjente të cilat i ka parashtruar Komunës së Istogut, më saktësisht Drejtorisë së urbanizmit dhe Kadastrit si dhe Inspektoratit të Ndërtimit.

Në disa vendime që ka siguruar KALLXO.com, e të cilat i përkasin Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi të datës 22 dhjetor 2019, thuhet se “pas daljes në terren është konstatuar se kemi të bëjmë me uzurpim të pronës shoqërore përmes ndërtimit të shtyllave të betonit dhe dyerve metalike në një pjesë të njësisë kadastrale nga ana e Sali Bajraktarit”.

Në po të njëjtin vendim theksohet se një vit më parë, më saktësisht më 11 dhjetor 2018, Inspektorati i ndërtimit kishte lëshuar vendim që Sali Bajraktari të ndërprente punimet dhe të bënte zhvendosjen e derës metalike pasi ishte konstatuar se prona ku i ka vendosur dyert ishte pronë shoqërore.

Vëllezërit Bajraktari nga fshati Trubohoc, të cilët jetojnë në rrugën “Sylë Qeta”, as sot nuk kanë arritur një marrëveshje me njëri-tjetrin në lidhje me dyert metalike.

Në një dokument tjetër që ka siguruar KALLXO.com tregohen veprimet që ka ndërmarrë Drejtoria për Kadastër dhe Gjeodezi/ Shërbimi Pronësor në lidhje me rastin e uzurpimit të pronës komunale.

Njoftimi i cili ishte bërë nga ana e zyrtarit ligjor në Komunën e Istogut, Faton Bujupi, tregonte të gjitha veprimet që ishin ndërmarrë që nga 1 dhjetori i vitit 2018 deri më 22 dhjetor 2019.

Sipas njoftimit, më 12 nëntor 2018 ishte realizuar një vizitë nga ana e zyrtarëve të Drejtorisë për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Drejtorisë së Inspekcionit ku ishte konstatuar se Sali Bajraktari kishte uzurpuar pronën shoqërore.

Në lidhje me vendimin për rrënimin apo zhvendosjen e dyerve metalike ishte përgjegjëse Inspektorati i Ndërtimit në Komunën e Istogut.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e këtij Inspekcioni, Demë Qetaj, i cili pranoi se ekziston një vendim për rrënim por sipas tij rasti është në gjykatë dhe deri në një vendim përfundimtar nuk mund të ekzekutohet asnjë vendim komunal për këtë çështje.

Meqë kërkesa të shumta kanë shkuar në adresë edhe të Inspekcionit të Ndërtimit në Komuën e Istogut, KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit edhe drejtorin Demë Qeta.

“Ajo lënda si duket ka kaluar në gjykatë dhe tash aty ku ndërhyn gjykata pushohen vendimet dhe pritet vendimi i gjykatës. Në këtë rast ndërpriten të gjitha variantat e vendimeve tona deri në një vendim të gjykatës. Deri më sot nuk kemi marrë një përgjigje (nga gjykata)”, tha Drejtori i Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Istogut.

Ai madje është në dijeni për problemet mes vëllezërve.

“Është uzurpim i një prone të fshatit, rrugë që realisht nuk ka problem për askënd tjetër përveç këtyre vëllezërve edhe vendimi që do të ndërmarrë gjykata do të ekzekutohet dhe do të zgjidhet ky problem”, vazhdoi ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Gjykatën e Pejës, e cila përmes një përgjigjeje ka thënë se ka një aktakuzë ndaj Sali Bajraktarit për veprën penale uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme, ndërsa janë zhvilluar edhe disa seanca.

“Seanca fillestare në këtë çështje është caktuar me datë 24.06.2020 mirëpo, në mungesë të prokurorit është shtyrë për datën 14.07.2020, në të cilën i pandehuri pas leximit të aktakuzës, është deklaruar i pafajshëm dhe gjykata e ka caktuar seancën e dytë me datë 12.08.2020, ku i pandehuri i ka parashtruar kundërshtimet ndaj aktakuzës”, thuhet në përgjigjet e Zëdhënëses së Gjykatës, Tringa Zhuti.

Ajo tutje sqaroi se Gjykata e Pejës më 24 gusht 2020 ka refuzuar si të pabazuar kundërshtimin e provave dhe kërkesën e Sali Bajraktarit për hedhjen e aktakuzës.

Kjo kërkesë ishte parashtruar nga ana e mbrojtjes së Saliut ndërsa i njëjti kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit për vendimin e shkallës së parë.

“Me Aktvendimin e datës 29.09.2020, Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit”, ka thënë Zhuti tutje.

Madje ajo ka sqaruar se për shkak se Sali Bajraktari nuk ka qenë prezent në seancën e 2 marsit të këtij viti seanca ishte shtyrë për në fund të muajit.

“Kanë qenë prezent të gjitha palët, është dhënë fjala hyrëse dhe është marrë deklarata e të dëmtuarit ndërsa, pasi që palët kanë propozuar që të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë, seanca e radhës është caktuar për datë 18.05.2021”, thuhet në përgjigjet e Zhutit.

Në lidhje me pretendimet e vëllait Brahim Bajraktari, KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit edhe me Sali Bajraktarin.

“Unë nuk kam qenë këtu kur është nda toka, kam qenë jashtë Kosovës, në Austri, plaku (baba) më ka thirrë më ka thënë që po i ndaj tokat dhe i kam thënë mos i ndaj se nuk jam atje e ai ma ka kthy që jam unë mos ta nin. Mu më ka ra qekjo pjesa ku jam tash, bash ku e kam shpinë ka qenë kullë. Kjo rrugë ka qenë shumë moti por unë nuk e kam ditë që është pronë e komunës”, thotë Sali Bajraktari.

Ani pse ishte ndarë toka në mënyrë të barabartë për tre vëllezërit Bajraktari, Saliu pretendon se nuk ka qenë në dijeni se ka vendosur dyer në pronë të komunës.

“Baba ma ka nda edhe ma ka shpjegu ku e kam tokën që më ka nda. Janë të ndamë barabartë më vëllaznit. Unë i kam qit dyert deri ku e kam pas tokën e ndamë edhe veç kur po i shoh vëllau m’i kish pasë thirrë policinë. Ata më kanë thënë me ndërpre edhe e kam ndërpre punën, ia kam dërgu krejt dokumentacionin e tokës po prapë më kanë ardhur Policia i kam thënë baba ma ka lanë, pasha dy djem që i kam nuk e kam ditë që është pronë e komunës”, tregon tutje ai.

Ai tregon edhe se ka pyetur vëllanë e madh dhe i njëjti i ka treguar që prona është e komunës.

“I kam thënë vëllait të madh e pse nuk keni kallëzu, tha valla nuk e di. Si ka vdek baba ia ka nis ky (Brahimi) me bë probleme”, tha ai.

“Edhe letrat thonë që është pronë e komunës. Më gjyq jemi tu shku edhe sot. Ka ardhur edhe inspekcioni edhe na ka tregu për ankesat e Brahimit. I kam bë be që nuk e kam ditë që është rrugë komunale”, vazhdoi ai.

Sali Bajraktari tha se nuk ka qenë fillimisht në dijeni se toka ka qenë e komunës kur ka mohuar akuzat e vëllait të tij Brahimit, në gjykatë.

“Unë i kam lut edhe ju kam thënë hajde e ndajmë tokën apet, masi kanë dalë qeto probleme po nuk më kanë ndëgju”, thotë Sali Bajraktari.

Sali Bajraktari tregon edhe veprimet e tij në rast të një vendimi përfundimtar të gjykatës në Pejë.

“Unë nuk kam çka me vepru ma shumë, por ai më ka një gjak borxh. Ata munden me mi heq dyert se ata nuk më pyesin i heqi dyert po nëse më hyn dikush në tokë dikush ka me marr përgjegjësi. Ju kam thanë ndanë tokën prapë nuk kanë dashtë”, tha ai.

Sali Bajraktari thotë se asnjëherë nuk ka biseduar me vëllanë e tij për të bërë një marrëveshje për tokën në të cilën janë vendosur dyert metalike.

Rasti i dy vëllezërve Bajraktari nga fshati Trubohovc të Istogut do të vazhdojë në gGjykatë ndërsa seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 18 maj.