Istog, qytetari raporton në Polici se dikush gjuajti me armë në drejtim të tij

Një person nga Istogu ka raportuar në Policinë e Kosovës se gjatë ditës së sotme deri sa ishte duke lëvizur në këmbë në rrugë ka pasur të shtëna në drejtim të tij.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas Gashit, viktima përmes telefonit ka thënë se në rrugën “Nënë Tereza” në Istog, në afërsi të Tregut të Gjelbër, derisa ka kaluar një veturë sipas viktimës dyshohet se një person nga kjo veturë të ketë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Tutje Gashi ka thënë se viktima nuk është qëlluar dhe nuk ka lëndime dhe se në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë si dhe hetimet rajonale.

“Deri tani në vendngjarje nuk është gjetur ndonjë dëshmi dhe nuk dihet çfarë arme mund të jetë përdorur. Janë duke u analizuar pamjet nga kamerat përreth”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se janë marrë në pyetje edhe disa dëshmitarë të rastit, por sipas Gashit, këta dëshmitarë kanë thënë se nuk kanë dëgjuar të shtëna.

Gashi ka treguar se lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe nga i njëjti është udhëzuar të cilësohet rasti si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.