Komuna e Istogut

Istog – Ndërrohet kryesuesi i Asamblesë vetëm 1 muaj pas votimit

Kryesuesja e Kuvendit Komunal në Istog, Fjolla Ukaj nga AAK është shkarkuar më 9 shkurt të këtij viti, vetëm një muaj pasi kishte marrë detyrën.

Më 15 shkurt, Kuvendi Komunal ka zgjedhur në këtë pozitë Enver Rugovën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ish-kryesuesja, Fjolla Ukaj e ka quajtur të paligjshëm emërimin e Rugovës në pozitën e kryesuesit.

Sipas saj, afati ligjor është 15 ditë për t’u vlerësuar procedurat e shkarkimit nëse kanë qenë proces i rregullt apo ka pasur shkelje.

“Ne si opozitë e konsiderojmë të paligjshme emërimin e tij sepse tash janë dy kryesues aktual. Unë nuk e kam ligjshmërinë që nuk jam më kryesuese dhe ai është zgjedh pa ardhë ligjshmëria ime”, u shpreh Ukaj.

Sipas saj, afati ligjor është 15 ditë për t’u vlerësuar procedurat e shkarkimit nëse kanë qenë proces i rregullt apo ka pasur shkelje, por që sipas saj ky afat nuk është respektuar.

“Unë e kam kundërshtuar me arsyetimin se nuk kanë pasë një dokument që arsyeton thirrjen për çka duhet të shkarkohet kryesuesja”, është shprehur ajo.

“I vetmi arsyetim ka qenë për mos ndarjen e pagave, çka nënkupton se lista e pagave dërgohet për ekzekutim në datën 10, ndërsa ligjshmëria më ka ardhur më datën 18 janar. Pra, deri më 18 janar unë nuk kam pas të drejtë me shkru apo të kërkoj një dokument e sidomos listën e pagave asesi”, ka thënë më tutje Ukaj.

Ndërsa Enver Rugova, tashmë kryesues i ri, tha për KALLXO.com se shkarkimi i Ukajt dhe emërimi i tij në krye të Kuvendit Komunal të Istogut është i bazuar në ligj.

“Ajo nuk e ka thirrur mbledhjen dhe nuk e ka dërguar një koment në Ministri për arsyen e mos thirrjes, vetëm na ka dërguar neve si LDK një arsyetim që nuk bazohet në asnjë nen. Kështu që kryetari e ka thirr një mbledhje urgjente dhe bazuar në ligj e kemi bërë shkarkimin për disa shkelje të ish-kryesueses dhe po ashtu edhe të bllokimit të punës së kuvendit”, u shpreh Rugova.

Sipas tij, ish-kryesuesja ka ardhur tri herë nga 5 minuta në vend të punës.

“Ne ishim dje të pranishëm 26 këshilltarë, mirëpo 11 prej tyre e lëshuan sallën dhe na kem vazhduar 15 këshilltarë mbledhjen dhe është votuar kryesuesi”, tha më tutje ai.

Ndërsa, Ukaj ishte zgjedhur në këtë pozitë më 5 janar, ku ishte votuar me 14 vota, ndërsa 13 kishin qenë kundër.

Pas një muaji kanë arrit koalicion PDK-LDK dhe kanë thirr seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e kryesueses.

Ndryshe, para pak ditësh, KALLXO.com ka raportuar se kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati ende nuk ka arritur që të formojë kabinetin e tij qeveritar.

Ai ka thënë se drejtorët priten të emërohen deri në javën e ardhshme.