Foto: Kallxo.com
Istog, mësimi rifillon nesër në të gjitha shkollat përveç në Kaliqan dhe Muzhevinë
Shkollat do të hapen nesër në komunën e Istogut për të rifilluar mësimin, i cili u ndërpre, pas reshjeve të mëdha të borës dhe erërave të forta që shkaktuan dëme të mëdha.
Mësimi u ndërpre të enjten dhe do të rinisë nesër, por jo në të gjitha shkollat.
Sipas një njoftimi të Komunës së Istogut, shkolla fillore “Zymer Zeka” në Kaliqan dhe shkolla fillore “Bajram Curri” paralelja e ndarë në Muzhevinë, nuk do të mund të vazhdojnë procesin mësimor për shkak të dëmtimeve të mëdha në objektet e tyre.
“Të nderuar mësimdhënës, nxënës dhe ju prindër ju njoftojmë se procesi mësimor do fillojë nesër e Hënë me 10.02.2020, në të gjitha shkollat e komunës së Istogut përveç Shkollës Fillore “Zymer Zeka” në Kaliqan dhe Shkollës Fillore “Bajram Curri” paraleles së ndarë në Muzhevinë si shkak i dëmtimeve të mëdha në objekte ende nuk ka mundësi fillimi të procesit mësimore. Do punojnë në vazhdimësi që ti evitojmë dëmet e shkaktuara dhe që sa më parë të filloj procesi mësimor edhe në këto dy shkolla”, thuhet në njoftimin e komunës.
KALLXO.com ka qëndruar të premten në Istog dhe fshatrat përreth për të parë nga afër dëmet që shkaktoi era.