Istog, gruaja raporton në polici se u ofendua nga vjehrra e saj
Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës brenda 24-orëve të fundit në vend.
Sipas raportit policor, në Prishtinë më datë 12.08.2024 është arrestuar një burrë pasi që dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Të njëjtit i është sekuestruar një pistoletë. Policia thotë se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Sipas policisë, rasti është iniciuar si armëmbajtje pa leje.
Një rast tjetër ka ndodhur në Gjilan, ku pas një mosmarrëveshje verbale ndërmjet një çifti, të njëjtit janë intervistuar.
“Gjatë intervistimit, i dyshuari mashkull kosovar ka pranuar gjithashtu se në shtëpinë e tij posedon një pushkë gjuetie me 9 fishekë të kalibrit 12 GA, që e ka dorëzuar vullnetarisht. Sipas raportit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”- thuhet në raport.
Ndërkaq në Ferizaj më 08.08.2024 një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij dhe i njëjti është arrestuar.
Në këtë rast, viktima është intervistuar në prezencë të prindit dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, në Pejë viktima burë, më 11.08.2024 ka njoftuar policinë se vëllai i tij i dyshuari që theksoi se është përdorues i substancave narkotike vazhdimisht ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij si dhe ka shkaktuar dëme nëpër shtëpi.
Tutje, në raport thuhet se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur edhe në Istog. Sipas policisë një grua ka raportuar në polici se është ofenduar nga vjehrra e saj.
Sipas policisë, e dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti tjetër ka ndodhur në Rahovec më 08.08.2024, e që sipas policisë i dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes. Ndërsa, më 12.08.2024 i dyshuari është arrestuar.
Sipas policisë, viktima pas trajtimit mjekësor së bashku me fëmijët është dërguar në shtëpinë. Tutje në raport thuhet se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Malishevë, policia është njoftuar nga një grua vazhdimisht ka dhunë psikike dhe fizike nga bashkëshorti i saj.
Në raport thuhet se i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.