Istog, arrestohet një serb për krime lufte

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të nacionalitetit serb në Istog, i cili është i dyshuar për krime lufte  të kryera ndaj popullatës civile të Kosovës në periudhën gjatë viteve 1998-1999.

Policia e Kosovës njofton se pas një pune hetimore të kryer nga njësia e Hetimeve të Krimeve të Luftës është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari.

I dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje, ndërsa rasti është nën hetime. Rasti është iniciuar si “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Për këtë rast, KALLXO.com ju sjell detaje nga Prokuroria.

Kryeprokurori special, Blerim Isufaj ka thënë për KALLXO.com se i arrestuari dyshohet se këto krime ndaj popullatës civile i ka kryer në rrethin e Pejës.

“I dyshuari është nga Istogu i lindur në vitin 1968 [54 vjeç], krimet dyshohet se janë kryer në rrethin e Pejës”, ka thënë kryeprokurori special Blerim Isufaj.

Këto krime sipas të dhënave të deritanishme dyshohet se janë kryer në periudhën 1998-1999.

Ndërsa sipas raportit  24-orësh policor, i dyshuari u arrestua mbrëmë në fshatin Gurakoc të komunës së Istogut.

Në luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998-1999 nga forcat serbe u vranë mbi 13 mijë persona dhe mbi 800 mijë u zhvendosën.

Gati 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 persona.