Isni Kilaj niset për në Hagë për t'u intervistuar nga Specialja

Zëvendësministri në detyrë i Diasporës, Isni Kilaj, është nisur për në Hagë, ku pritet të intervistohet nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Kilaj i cili kishte qenë edhe kryetar i Komunës së Malishevës, më 22 tetor të këtij viti është ftuar nga Gjykata Speciale për të dëshmuar për luftën e  UÇK-së.

Ndërsa sot Kilaj ka bërë të ditur se është nisur për në Hagë, pa dhënë detaje se kur do të intervistohet saktësisht.

Isni Kilaj ka qenë një epror i UÇK-së.

Për ta përcjellë Kilajn kanë dalë shumë familjarë e miq të tij.

“Rrugës për Hagë! Ju faleminderit për mbështetje!”, ka shkruar Kilaj.

Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tash, sipas të dhënave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka intervistuar rreth 100 persona, duke përfshirë edhe kryeministrin në largim Ramush Haradinaj i cili pikërisht për shkak të kësaj ftese ka dhënë dorëheqje.

Ndërsa ftesë për intervistim nga kjo gjykatë ka marrë edhe krye parlamentari Kadri Veseli por që ende nuk është intervistuar.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë

.Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.