
Ismet Tara refuzon të dëshmojë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kërkon t'i jepet deklarata e vitit 2019 nga Prokuroria
Dëshmitari i Prokurorisë pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, Ismet Tara është paraqitur që të japë dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Tara ka vazhduar me dhënien e dëshmisë, më 24.02.2025, por që gjatë seancës ka reaguar kur Prokuroria e Dhomave të Specializuar, e cila ka paraqitur një dokument në të cilën pretendon se është dëshmia e dëshmitarit Tara, i njohur si Komandant Hoxha.
Tara ka reaguar duke thënë se të njëjtin dokument nuk e ka pranuar asnjëherë dhe i njëjti kërkon që ta ketë në dispozicion, me qëllim që të vazhdojë me dhënien e dëshmisë.
Ismet Tara nuk është përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, pasi i njëjti ka kërkuar në vazhdimësi që të ketë dokumentin që i referohej Prokuroria.
“Unë asnjë përgjigje nuk do të japë dhe mos ma bëni njëjtë si në 2019. Unë kam një kërkesë prej gjyqtarit. Unë pas kësaj dëshiroj prej gjykatësit të më paraqitet dokumenti im, në të cilin unë kam ngritur dyshimet e mia në lidhje me intervistimet e mia të prokurorëve të mi në 2019. Përndryshe, unë prej këtij momenti…” – tha Tara.
Dëshmitari tha se nuk do të përgjigjet në asnjë pyetje, pa marrë në posedim atë dokument që sipas tij ishte i UNMIK-ut dhe ishte i vitit 2019, për të cilin tha se vetë e kishte lexuar gjysmën, kurse pjesën tjetër ia kishte lexuar përkthyesja, për të cilin i njëjti kërkoi që e njëjta të ftohet në seancë të përballet me të.
Gjyqtari Charlie Smith III i tha dëshmitarit se nuk është ai që vendos se kush duhet të ftohet e kush jo, pasi ka rregulla procedurale që duhet të zbatohen.
Aktakuza
Sipas Aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë Aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e Aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në Aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në Kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera të cilat ishin dërguar në Kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë, në Aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar e vrarë.
Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.
Pjesë e Aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas Aktakuzës, në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.
Prokuroria e Specializuar në këtë Aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe “Qendrën e Paraburgimit” në Kleçkë.
Sipas Prokurorit të Specializuar, në këtë lokacion gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Sipas Aktaakuzës, një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas Aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë më kurrë.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një Aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.
Për Aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.