Ismet Beqiri

Ismet Beqiri nuk do të kandidojë për deputet

Zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Beqiri ka shkruar se deri më tash ka qenë në listat e LDK-së në 8 palë zgjedhje, 2 lokale e 6 nacionale. Nga këto zgjedhje, Beqiri është zgjedhur 1 herë këshilltar komunal, 1 herë kryetar i Komunës së Prishtinës dhe 6 herë deputet.

Edhe pse sipas tij ka marrë besimin e qytetarëve për vite me radhë, kësaj here nuk do të kandidojë për deputet.

“Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe Deputet të ardhshëm”, ka shkruar Beqiri.

Sipas tij, për këtë e ka marrë pëlqimin e degës që udhëheq, ndërsa ka theksuar se do të vazhdojë të jetë në krye të kësaj dege.

“Kontributi im si Nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i një prej Degëve më të fuqishme në Kosovë, do të jetë maksimal për suksesin tonë në këto zgjedhje.I falenderoj votuesit e mi besnik që për më shumë se 20 vite më dhanë besimin e tyre, të cilin me punë të ndershme nuk ua kam keqpërdorur asnjëherë. Dëshmia më e mirë është përkrahja juaj mbi 2 dekada”.