Ismajli: Dorëzat në QKUK kanë munguar se i kam ndalur kontratat e jashtëligjshme

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismajli ka arsyetuar mungesën e materialeve shpenzuese në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ismajli që është kandidat për deputet i PDK-së, ka prezantuar programin e kësaj partie për çështjen e barnave dhe materialeve shpenzuese në QKUK.

I përballur me pyetjen se pse mungojnë dorëzat dhe gjërat tjera në spital, Ismajli tha se kjo gjendje nuk ekziston më.

Ai tha se kontratat e nënshkruara për këtë material kanë qenë të jashtëligjshme dhe prandaj janë ndërprerë.

“Kanë mungu dorëza, nuk mungojnë sot. Kanë mungu se i kemi nalë do kontrata jashtëzakonisht abuzive. Është dashtë me bo një hap prapa. Kur kom hy unë më kanë thanë që këto kontrata janë të jashtëligjshme”, tha Ismajli

Ai po ashtu tha se kanë arritur që të rregullojnë tregun me nivelizim të çmimit të barnave.

“Është ndalë abuzimi me çmimet e barnave. Është kriju buxheti në 50 milionë euro mendoj që do të mbulojë. Problemi ka qenë që është kanë një situatë tejet e keqe. Ne e kemi bë listën esenciale”, tha Ismajli.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK). Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.