Ismaili: Vendimi i Kushtetueses për Ligjin për Paga mund t'i largojë mjekët nga Kosova

Deputeti i Zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga.

Sipas Ismailit, ky vendim është sa zhgënjyes, aq edhe frustrues.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar implementimin e Ligjit për Paga deri me 30 mars të vitit 2020 është sa zhgënjyes, aq edhe frustrues. Profesionistët shëndetësorë, krahas punëtorëve tjerë të sektorit publik, nga fundi i këtij muaji është dashur t’i marrin pagat e tyre me rritje. T’u thuhet tani, dy javë para se ata të gëzojnë paga të dinjitetshme, të pritura me dekada, se ata do të vazhdojnë të paguhen siç janë paguar deri më sot, është shumë dëshpëruese’, ka shkruar Ismaili.

Ai tutje ka shkruar se PDK ka punuar dy vite pandërprerë që të përmirësojë kushtet e punës për profesionistët shëndetësorë, në mënyrë që t’u sigurohet atyre paga të dinjitetshme që të qëndrojnë në Kosovë.

“Ky vendim rrezikon tej mase përpjekjet tona për ndaljen e ikjes së profesionistëve shëndetësorë nga vendi ynë. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me pezullimin, zvarritjen dhe rezistencën që po i bëhet këtij ligji. Profesionistët shëndetësorë nuk e meritojnë këtë trajtim”, ka shkruar Ismaili.

Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Avokati i Popullit ishte ankuar  pasi  ka pranuar gjithsej 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe pasi ka vlerësuar se  është në “interes të ankuesve, por edhe të publikut, që Gjykata të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve.

Gjykata Kushtetuese sot njoftoi se ka miratuar këtë kërkesë.

Gjykata po ashtu miratoi propozimin e Gjyqtares Raportuese që të ftohet Komisioni i Venecias që të dorëzojë një Opinion lidhur me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik.

Tri sindikata kanë paralajmëruar protestë për ditën e nesërme në rast se pagat nuk dalin me rritje.

Pezullohet Ligji i Pagave, nuk ka paga me rritje për tre muaj