Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ismaili: Qeveritë nuk investuan për mbrojtje nga pandemia, u mbanë me donacione

Ish- Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli në debatin për Shëndetësi në Kallxo Përnime tha se dy qeveritë të cilat qeverisën në kohë pandemie nuk kanë investuar asgjë, por e kanë kaluar periudhën e pandemisë duke u varur nga donacionet.

“Thonë se është menaxhuar mirë pandemia, pyetja ime është cilat kanë qenë investimet? Sepse asnjë shtet, për të cilat unë kam lexuar raporte, nuk e ka kaluar gjithë pandeminë duke marrë donacione. Në Klinikën Infektive është që 8 muaj kërkesa me u lidhë me oksigjenin qendror dhe nuk ka një përgjigje të shpejtë ndaj saj”, tha Ismajli në Kallxo Përnime.

Ai thotë se që nga përhapja e pandemisë, PDK ka drejtuar kërkesa drejt Qeverisë që të investohet në blerjen e aparaturave për testim.

“Kërkesa ka qenë prej ditës së parë, blini aparatura për testime. Ka pasur njerëz në Kosovë që nga dita e parë me përdorë PCR test. Fuqi punëtore ka pasë, krejt çka është dashtë, ka qenë investimi. Kanë thanë po presim donacione nga banka botërore.  Nuk është Kosova qaq shtet i varfër për mos me pasë mundësi me ble pajisje 1-2 milionë euro.Ka pasë raste në QKUK ku pacienti është të futet në operim, por kanë pritë 72 orë me i marrë testin e COVID-19, derisa gjendja e pacientin ka qenë shumë e vështirë”, shtoi ai.