Ismaili për vaksinat në veri: Po cenohet sovraniteti i Kosovës

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili në një konferencë për media ka reaguar për hyrjen e vaksinave për COVID-19 në veri të Kosovës.

“Vaksinimi kundër Covid-19 që ka filluar në veri të Kosovës nga Qeveria e Serbisë – është një goditje për sovranitetin e shtetit tonë dhe fyerje e rëndë për qytetarët tanë. Kjo është hera e tretë, në pak muaj, që Serbia, në emër të pandemisë, cenon sovranitetin e shtetit tonë”, ka deklaruar Ismaili.

Ismaili tha se me këto veprime po cenohet dhe dobësohet sovraniteti i Kosovës

“Është hera e tretë që dy Qeveritë e kaluara, Hoti dhe Kurti, u nënshtruan para veprimeve të Serbisë dhe në dëm të Republikës së Kosovës. Kjo mënyrë e depërtimit të Serbisë në Kosovë – një herë me teste, pastaj me personel shëndetësor, e sot edhe me vaksina, shpërfaq strategjinë e Serbisë, që përmes pandemisë, ta shkelë dhe dobësojë sovranitetin e Kosovës dhe ta avancojë agjendën e saj kundër shtetit tonë”, ka shtuar sekretari i PDK-së.

Ai shtoi se vaksinimi i qytetarëve të Veriut nga ana e Serbisë është irrituese.

“Është irrituese për qytetarët tanë të shohin se si një Qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë, vaksinon kundër Covid-19, e qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më të voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës”, tha me tej Ismaili.

Ismaili tha se prioritet i qeverisë duhet të jetë sigurimi i vaksinës anti COVID-19.

“Kërkesa për një vaksinë të tillë është tejet e lartë. Ka kohë që shtetet kanë garuar për të siguruar këtë vaksinë të rëndësishme për qytetarët e tyre. Me mosveprimet e saj, Qeveria Hoti po rrezikon që shteti i Kosovës ta fillojë vaksinimin i fundit në Evropë dhe ta përfundojë vaksinimin i fundit në Evropë”, tha në fund Ismaili.

Sot, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në bazë të informatave të pranuara nga Dogana dhe Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se nga kanë hyrë vaksinat kundër COVID-19, për të cilat është raportuar dje se janë duke i marrë qytetarët në Mitrovicën e Veriut.

Dje, presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër coronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfzer/BioNTech, e cila para disa ditëve ka arritur në Serbi.