Ismaili e quan Zemajn "partner të krimit" pas shfuqizimit të rregullativës për çmimoren e barnave

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili e ka quajtur “partner të krimit” ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, pasi ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ që rregullonte çmimin e barnave në Kosovë.

Ismaili përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky udhëzim gjatë mandatit të tij si minstër i Shëndetësisë i ka kursyer mbi 12 milionë euro në blerjen e barnave.

“Në kohën kur e gjithë vëmendja e opinionit publik është e përqendruar te tmerri që po e shkakton pandemia, Ministri Armend Zemaj paska vendosur të bëhet partner i krimit të blerjes së barnave me çmime abuzive”, ka shkruar Ismaili.

Sipas tij,  shfuqizimi i udhëzimit është i barasvlefshëm me një akt kriminal dhe se plaçkitësit dhe hajnat e krimit të organizuar që kanë përfituar miliona në kurriz të pacientëve të sëmurë po kthehen fuqishëm.

Tutje, Ismaili ka thënë se “bashkë me Organizatën Botërorë të Shëndetësisë dhe qendrën e tyre për çmime referente kan punuar pa u ndalur për dy vjet rresht që të krijoj bazën ligjore që qytetarët tanë të mos paguajnë çmime shumëfish më të larta për barnat e njëjta”.

Sipas tij, në mungesë të këtij dokumenti, për 20 vjet me radhë Republika e Kosovës ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët tanë janë rrjepur financiarisht duke shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit.

“Në emër të pandemisë, larg syve të publikut, së pari lidhën kontrata me çmime abuzive, kurse tash po legalizohet korrupsioni me prishjen e një prej reformave më substanciale në historinë e shëndetësisë”, ka shkruar Ismaili.

Para se ta nënshkruaja Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave, Kosova dhe Bjellorusia ishin vendet e vetme në Evropë që nuk i kishin të rregulluara çmimet e barnave.

Ai ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria që të shfuqizoj këtë vendimin që ka marrë dhe të tregojë se si është e mundur që në vend se ta luftojë pandeminë, duke i luftuar puënt e mira kundër krimit farmaceutik.