Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ismaili: Do bëjmë opozitën

Kandidati për deputet nga Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili pas rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, tha e kanë të qartë mesazhin e qytetarëve, andaj edhe do të qëndrojë në opozitë.

“PDK e ka të qartë mesazhin dhe për ta fuqizuar shtetin e demokracinë – do të bëjë opozitë, si udhëheqëse që përfaqëson qytetarët. Ne do të jemi në shërbimin e tyre të plotë. Shpresoj që institucionet të formohen sa më shpejtë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, qytetarët me votë të lirë, dëshmuan edhe një herë se vendi ka ndërtuar ‘institucione që organizojnë zgjedhje të shkëlqyeshme, shumë mbi nivelin e rajonit’.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve për pjekurinë dhe korrektësinë e treguar në procesin zgjedhor. Në veçanti, mirënjohje të pafundme për të gjithë mbështetësit, votuesit dhe aktivistët e Partisë Demokratike të Kosovës, që me devotshmërinë e tyre të pashembullt mundësuan një fushatë të jashtëzakonshme. Pas këtij kapitulli, gjëja më e sigurt nga e gjithë kjo është se ne do të jemi vetëm më të fortë”, ka shtuar më tej ish-ministri i Shëndetësisë.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ të zgjedhjeve të 14 shkurtit, LVV kryeson me 47,88 %, PDK me 17,36% ndërsa LDK me 13,08%.