Ismaili: Çdo familje në Kosovë ta ketë mjekun familjar

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se me qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës, do të investohet në kujdesin primar, duke fuqizuar qendrat e mjekësisë familjare, që ata të jenë me të vërtetë adresë ku qytetari merr përgjigjen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kujdesin e duhur.

“Plani ynë parasheh si prioritet implementimin e shpejtë të konceptit të mjekësisë familjare. Pra, që çdo familje në Kosovë ta ketë mjekun familjar, i cili ka përgjegjësinë ta përcjellë gjendjen shëndetësore të asaj familjeje, t’i japë këshilla dhe t’i ofrojë shërbime shëndetësore”, ka thënë Ismaili.

Përmes planit zonal, për çdo 2 mijë banorë në Kosovë do të jetë një ekip mjekësor, i përbërë nga një mjek dhe dy infermierë, të cilët ofrojnë kujdes individual dhe familjar. Investimi në mjekun familjar, forcimin e lidhjes së tij direkte me qytetarin, është një ndër investimet me kthimin më të madh – në aspektin e shëndetit publik, ose atë ekonomik, ka thënë Ismaili.

“Sepse, parandalohen sëmundjet, nuk mbingarkohen spitalet dhe përmirësohet shëndeti i përgjithshëm i popullatës”, ka thënë ai.