Flamuri i ISIS-it - Foto: REL/AFP

ISIS kërcënon Izraelin me sulme

Grupi militant Shteti Islamik u zotua se do ta shndërrojë Izraelin në shënjestër kryesore të sulmeve të tij.

Grupi publikoi të hënën një audio-mesazh online, i cili thuhet se transmeton zërin e zëdhënësit të tij, Abu Hamza al-Quraishi.

“Sytë e ushtarëve të kalifatit, kudo që të jenë, janë ende në Jerusalem”, tha al-Quraishi në mesazhin prej 37 minutash.

“Në ditët që vijnë, me dëshirën e Zotit, do të shihni se çfarë ju dëmton dhe çfarë do t’ju bëjë t’i harroni tmerret që i keni përjetuar”, tha al-Quraishi.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e mesazhit.

Në vitin 2014, Shteti Islamik ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në disa territore të Sirisë dhe Irakut, ku ka kontrolluar gjithçka – nga monedha deri te plan-programi mësimor.

Nën presionin e operacioneve të kombinuara ushtarake, kalifati ka kolapsuar vitin e kaluar dhe grupi është shpartalluar.

Ish-udhëheqësi i grupit, Abu Bakr Al Baghdadi, është vrarë në një sulm të forcave amerikane në Siri, po ashtu vitin e kaluar.

Megjithatë, ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që Shteti Islamik të rigrupohet./REL

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!