“ISIS-at” – Emërtimi i Gjykatës për Veprën Penale

Gjykata Themelore në Prishtinë, ku po trajtohen dhjetëra raste të të dyshuarve për vepra që kanë lidhje me ekstremizmin e dhunshëm dhe pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës konfliktin në Siri dhe Irak, ka shprehur vlerësimin e saj në lidhje me të paktën një rast.

Në seancën e parashikuar të hënën, më 4 prill, ndaj 7 të dyshuarve për vepra që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm, në përshkrimin e veprës, gjykata ka shkruar “ISIS-at” [Orari i Seancave – Prill 2016].

Ky përcaktim, edhe pse është bërë jashtë sallës së gjykatës, dhe me gjasa nga administrata e gjyqësorit, ngre pikëpyetje mbi prezumimin e pafajësisë së të pandehurve.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më datën 7 maj 2015, ndaj Muxhahid Bravës, Hafiz Ahmetit, Naser Avdylit, Ibrahim Reshitit, Albert Berishës, Enis Begollit, Skënder Sylës, Hajdin Elezit, Hajrush Lajçit, Agron Likës, dhe Samedin Halimit.

Gjashtë nga të dyshuarit akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa një tjetër për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Por, pavarësisht aktakuzave formale dhe specifikimeve të veprave përkatëse për të cilat akuzohen të pandehurit, gjykata ka zgjedhur të shpikë një vepër të re penale: “ISIS-at”.

Për të kuptuar më shumë mbi rikualifikimin terminologjik të veprave penale të përfshira në këtë rast, KALLXO.com i telefonoi zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, por ajo rezultoi e paarritshme.

Gjithashtu, ndërsa datat e seancave janë të muajit prill, emërtimi në krye të dokumentit thotë “për muajin mars”, por në këtë pikë, ky është problemi më i vogël.