Ish-zyrtari ligjor i bankës pranon se vodhi 3 mijë e 500 euro

Granit Hyseni, ish-zyrtar ligjor në bankën “Raiffaisen” e ka pranuar fajësinë për marrjen e 3 mijë e 500 eurove.

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur seanca fillestare ndaj këtij të akuzuari, të cilit paraprakisht gjykata nuk ia kishte dërguar aktakuzën.

As prokuroria nuk i kishte dërguar shkresat e lëndës me provat me të cilat ngarkohet i akuzuari Granit Hyseni.

Andaj gjykata mori pauzë për 5 minuta që të akuzuarit Granit Hysenit t’i ipej aktakuza për lexim dhe të deklarohej për pranimin ose mospranimin e fajësisë.

Pak minuta pasi Hyseni e lexoi aktakuzën e pasi e njëjta u lexua përsëri nga prokurori Arian Gashi ai e pranoi fajësinë për veprën penale përvetësim në detyrë.

I akuzuari e lexon aktakuzën

Prokurori i rastit Arian Gashi, tha se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë “sepse është i vullnetshëm dhe gjen mbështetje në shkresat e lëndës’’.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, bankës ‘’Raiffesen’’ deklaroi se i akuzuari Granit Hyseni me datën 15 shtator 2014, është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare me 6 muaj burgim me kusht.

Gjykatësja Suzana Cerkini, mori vendim me të cilin e aprovoi pranimin e fajësisë.

Sipas prokurorisë Granit Hyseni duke qenë zyrtar ligjor në ‘’Raiffaisen Bank’’ pa autorizim kishte tërhequr para nga llogaria e kompanisë ‘’Patroni’’ në muajin tetor shumën prej 1 mijë e 300 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Hyseni në muajin nëntor kishte tërhequr tri shuma, herën e parë 1 mijë euro, herën e  dytë 700 euro ndërsa në herën e tretë 500 euro.

Me përvetësimin e këtyre parave, bankës  ‘’Raiffaisen” i është shkaktuar dëm në shumë prej 3 mijë e 500 euro.

Gjykata vendimin do ta shpallë nesër me datën 7 nëntor.